Tiranë, miratohet dyfishimi i gjobave për ndotësit e ambientit

03/09/2015 22:10

“Jeni mes një zgjedhje shumë të madhe: o me Lulin dhe me zhulin, o me qytetin dhe me shtetin”. Me këtë batutë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar këshilltarëve të opozitës në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, duke i ftuar dhe ata të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e kryeqytetit.

Por kjo gjë prodhoi debate të shumta mes këshilltarëve dhe kryebashkiakut. Edhe pse pika më nxehtë e mbledhjes mendohej të ishte ajo e dyfishimit të gjobave për ndotësit dhe dëmtuesit e mjedisit, përplasje mes Veliajt dhe këshilltarëve të opozitës pati dhe për 3 pikat e tjera. Kryesisht ajo për marrjen në administrim nga Ujësjellësi i Tiranës të Digës së Liqenit dhe projekt-vendimi për emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të kësaj shoqërie.

Por ashtu siç pritej, projekt-vendimi për dyfishimin e gjobave, prodhoi dhe debatin më të madh në sallë.

“Më dhimbseni me mënyrën se si po bëni avokatin. Është vetëm 1% që e ndot ambientin; 99% e njerëzve nuk hedhin asgjë në tokë, nuk vjedhin puseta, nuk i dëmtojnë pemët, nuk i zënë hapësirat publike. Sot vini këtu dhe bëni avokatin. Zgjedhja është e juaja, ose votoni për 99% të Tiranës që do pastërti ose bëhuni avokatët e 1% të zhulsave, që nuk mund ta tërheqin zvarrë qytetin tonë, siç kanë bërë në 4 vitet e fundit”, u shpreh Veliaj.

Megjithë thirrjen e Veliajt, këshilltarët e djathtë refuzuan të votonin këtë projekt-vendim, pasi sipas tyre, ai u është paraqitur vetëm pak minuta përpara nisjes së mbledhjes dhe nuk ishte konsultuar më parë në komisionet përkatëse.

Top Channel