Erion Veliaj në Top Story: Sheshi Skënderbej do t’u rikthehet qytetarëve para 2017-s

03/09/2015 22:50

Erion Veliaj ndodhet në krye të bashkisë më të madhe të vendit, që me ndarjen e re administrative është zmadhuar akoma më shumë në sipërfaqe dhe popullsi, prej 30 ditësh tashmë.

Në 30 ditë ai ka ndërmarrë disa aksione, për t’u përmendur këtu ai i pastrimit të Tiranës, ai i lirimit të hapësirave publike si dhe masat kundër ndotësve. 1 muaj pas marrjes së detyrës, si e sheh Veliaj Tiranën? A do të jetë në gjendje që të mbajë premtimet e fushatës në mandatin e parë? Cilat janë projektet që ai ka për kryeqytetin dhe për sheshin Skënderbej, që për shqiptarët mbart një simbolikë të veçantë?

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera, kreu i Bashkisë së Tiranës u dha përgjigje në Top Story-n e parë të këtij sezoni me gazetarin Sokol Balla.

Intervista e plotë:

Sokol Balla: Kolegët e mi shprehen se kjo Bashki është një trampolinë e mirë politike. Kjo të paktën është provuar, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Basha. Njerëzit ndoshta do të duan njëfarë sigurie dhe garancie, edhe pse deklaratat publike në përgjithësi në Shqipëri nuk u japin më shumë përgjegjësi politikanëve, por realisht, së paku për momentin keni lënë të kuptohet se do të kandidoni për një mandat të dytë, në mos gaboj. A është e sigurtë që tiranasit e një Tirana të madhe kanë investuar votën e tyre për një kryetar që do kujdeset për ta dhe jo për karrierën e tij politike?

Erion Veliaj: Kam 30 ditë në detyrë dhe besoj që këto 30 ditë nuk kam lënë asnjë minutë detyrën për cështje të tjera politkie dhe sic jam sjellë këto ditë do të sillen cdo ditë të detyrës time. brenda një muaji kemi patur tre mbledhje të Këshillit Bashkiak, kam qenë personalisht në të trija mbledhjet për të treguar që është një rend i ri në Bashkinë e Tiranës dhe në këtë rend të ri unë nuk mendoj për asnjë trampolinë tjetër përveçse të notoj në problemet e Tiranës. Besoj që ky muaj i parë ishte një muaj i kaluar mirë.

Sokol Balla: Është një detyrë e vështirë. Ju përmendet Këshillin Bashkiak, ku ju do të duhet të kaloni shumë nga vendimmarrjet, por dimë që me kompetencat e pushtetit vendor, edhe me këto që janë, por edhe me të tjerat që priten me ligjin e ri pas pak muajsh, dihet që në një farë mënyre jeni vetë Zot dhe vetë shkop. Në kushtet kur aleanca juaj politike, ku edhe ekuilibrat janë të brishtë brenda aleancës, pra mjafton një qejfmbetje mes dy më të mëdhenjve dhe kjo automatikisht do të transmetohet kudo. E keni shqetësim faktin se mbarëvajtja e punëve në Tiranë mund të varet nga një klimë mes PS-së dhe LSI-së?

Erion Veliaj: Pavarësisht ndryshimit të kompetencave, arsyet pse respektoj Këshillin Bashkiak është sepse besoj atë që kanë votuar qytetarët. Nëse qytetarët do të donin vetëm një parti, ose një mazhorancë, atëherë do të kishin votuar për një mazhorancë. Fakti që ka një pluralizëm, katër parti në mazhorancë dhe tre në opozitë, do të thotë që publiku i Tiranës të përfaqësohet në Këshillin Bashkiak nga këto 7 parti. Sigurisht që unë bashkëdrejtoj Bashkinë e Tiranës me 4 nënkryetarë që përfaqësojnë forcat tona politike, nga ana tjetër në çdo mundësi që kam patur i kam shtrirë dorën opozitës sepse besoj se në të mirë të qytetit, disa gjëra bëhen më mirë me konsensus dhe bashkë. Asnjëherë nuk kam zgjedhur që të shfrytëzoj fuqinë e kartonave për të provokuar një klimë ku kufiri ndahet në ne dhe ata, ku punët qytetare përkthehen në punë partizane. Punët qytetarë janë për pastërtinë e qytetit, për autobusët, për ujin e pijshëm, për zhvillimet urbanistike. Nëse këto transformohen në punë partizane thyhet diçka shumë e rëndësishme në kryeqytet. Do të bej çmos në detyrën time që kjo klimë të mos thyhet.

Sokol Balla: Megjithatë, ju goditjen e parë nuk e morët as nga PD, as nga LSI, por nga vetë qeveria juaj dhe vetëm pak ditë pasi ju kishit marrë detyrën dhe befas opinioni u befasua nga paraqitja e një projekti për hyrjen e Parkut të Liqenit Artificial, që mbetet gjysmë-mushkëria e vetme e gjelbër e kryeqytetit. Ai park prej shumë vitesh është rrethuar dhe po rrethohet nga ndërtimet dhe tashmë po ndërtohet edhe mbi digë. Pyetja e parë që mund të bëjë një qytetar, i cili as nuk do blejë shtëpi tek diga, as nuk do të shijojë frytet e një investimi të mundshëm te Korpusi i Tiranës, thotë për çfarë e votuam Erion Veliajn, që thjesht të miratojë një vendim që ka marrë Edi Rama, apo edhe të kundërshtojë një vendim të gabuar të kryeministrit. Pra e thënë ndryshe, do ndërtohet në Korpusin pranë sheshit Nënë Tereza? Do ndërtohet mbi digë?

Erion Veliaj: Nuk ka nevojë ta themi ndryshe, ka nevojë ta themi siç është. Ajo që është, është një projekt, i cili muaj para zgjedhjeve, pa dalë një kandidat dhe pa dalë me programin elektoral, pati marrë një vendim që hapësirën e Gardës së Republikës, një hapësirë jo e Parkut të Tiranës që ka 10 godina. Ajo që është propozuar kur unë kam qenë anëtar i Qeverisë, që 10 ndërtesat e Gardës që sot janë një terren i paaksesueshëm, të kthehet në një qendër “one stop shop”, ku qytetarët të marrin të gjithë shërbimet publike. Një projekt për të qenë një qendër tregtare, por edhe një qendër administrative, ku me një hyrje mbaron punë me shtetin. Për këtë zv.kryeministri kishte organizuar një konkurs për të marrë një ide. Nuk ka asnjë vendim, nuk ka asnjë fitues dhe kjo do të thotë që asnjë ide nuk bindi që ajo ishte një ide e mirë.

Sokol Balla: Ju nuk e përjashtoni mundësin që aty mund të ndërtohet?

Erion Veliaj: Ne nuk kemi marrë asnjë vendim dhe nuk kemi asnjë projekt. Të më kërkosh vendimmarrje për një projekt që nuk ekziston… Ajo që di të të them është se të zëvendësosh 10 ndërtesa të Gardës me një ndërtesë të vetme dhe të hapësh gjithë territorin e Gardës për t’ja rikthyer Parkut, është plus, jo minus.  Besoj që duhet të punojmë për një qytet ku të bëjmë më shumë histori sesa histeri dhe në rastin konkret kemi më shumë doza histerie.

Sokol Balla: Ndërkohë për digën, në fushatë e fituat, pati një vendim gjykate për pezullimin e ndërtimit, por çdo të ndodhë më pas?

Erion Veliaj: Për vendimet e digës, më rezulton që kompania e ka çuar në nivelin tjetër të gjykatës. Diçka ka ndryshuar këtë herë, Bashki do të jetë palë me Qeverinë në procesin gjyqësor. Më përpara Bashkia e Tiranës ishte palë me ndërtuesin. Kështu që, ka ndryshuar edhe konfigurimi i padisë në gjykatë.

Sokol Balla: Një qeveri qendrore, që deri diku, në mos fajtore është përgjegjëse për vazhdimin e ndërtimit aty…

Erion Veliaj: Nuk është ashtu sepse e kam hetuar atë proces. Komiteti i Digave i kësaj mazhorance, pavarësisht spekulimit dhe historisë që u bë e ka rrëzuar atë projekt. Do bëj çdo gjë që përfaqësimi ynë juridik deri në betejën finale të jetë në shkallën maksimale. Pastaj i ngelet publikut të gjykojë nëse kemi bërë maksimumin tonë, por unë them që vendimi do të jetë në favorin tonë dhe gjykatë të japë vendim që është në favor të qytetarëve dhe jo të ndërtuesve.

Sokol Balla: T’i rikthehemi pak asaj që ju gjetët në Bashkinë e Tiranës. Tashmë që keni kaluar gati një muaj në këtë zyrë, cili është mendimi juaj, si ka punuar Bashkia e Tiranës? A mund të gjeni një gjë pozitive që administrata e Bashës ju la juve?

Erion Veliaj: Gjeta dosje të borxheve, dosje të punëve të papaguara, dosje që në total kanë një vlerë 31 milionë dollarë. Për efekt mediatik lënia e dosjeve, është si lënia e “atij në derë”. Kjo ndodhi në Bashkinë e Tiranës. Le të mos shitej si transferim detyre, por ishte lënia në derë e një fature shumë të kripur sepse ato para nga diku do vijnë. Çdo vit qyteti i Tiranës ka një fond investimesh, në vitin më të mirë, 5 milionë dollarë. Në momentin që më ka lënë një faturë prej 31 milionë dollarësh, praktikisht që nëse çdo vit këtë 5 milionë dollarësh e çoj për të paguar këtë faturë, i bie që të jetë viti i tretë i mandatit të dytë që ne të fillojmë të bëjmë investimet tona. Nuk jam aspak i lumtur për këtë.

Sokol Balla: Ku do t’i gjeni këto para?

Erion Veliaj: Po rikonceptojmë paketën fiskale për të mbledhur më shumë të ardhura, jo për të rritur taksa, por për të zgjeruar bazën e të ardhurave. Ky është një qytet që mbledh vetëm 5 përqind të parkingjeve, mbledh vetëm 7 përqind të taksës së pronës, mbledh vetëm 30 përqind të tarifave vendore, ku shumica e atyre që zënë hapësirat publike nuk i paguajnë Bashkisë asnjë cent. Kjo është një mënyrë për të rritur bazën, por jo peshën fiskale. Kjo është një shenjë që ne kemi drejtues të opozitës një njeri të paaftë, sepse nëse nuk je besnik i këtij territori që kishte Bashkia e Tiranës, atëherë sa 1 e 24 e sipërfaqes që ka sot, ai njeri sot ka mundësitë zero që të jetë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, jo vetëm se nuk e bën dot kurrë punën apo vezën e Edi Ramës, por sepse ka dëshmuar që nuk di të administrojë. Është fatkeqësi për atë parti që ka për drejtues një nga njerëzit më të paaftë që unë kam parë në këtë vend. Të shpërdorosh paratë publike në punë që nuk je i aftë t’i paguash, të mos kesh lënë një gjë të dukshme për qytetin, të kesh lënë një administratë të politizuar dhe totalisht të mpirë, një administratë që nuk rregullonte dot orën. Nëse nuk je i aftë të rregullosh gjërat e vogla që janë në një rreze prej 3 metrash nga zyra jote, nuk mund të pretendosh të jesh kryeministër i Shqipërisë. Vetëm duke hyrë në Bashkinë e Tiranës kam kuptuar se në çfarë derexheje është opozita. Sot jemi në një situatë ku kompanitë e pastrimit të plehrave nuk ishin paguar prej 8-9 muajsh. Nëse nuk mbledh do të ardhurat dhe nuk di t’i shpenzosh, kjo tregon që je nul në menaxhimin e interesit publik. Besoj që do të kemi një opozitë të gjatë të Partisë Demokratike në momentin që ka shpërdoruar besimin publik edhe pasi e mori në mënyrë të dhunshme mandatin në 2011, la bashkinë në një situatë që nuk bën krenar as militantin më të madh.

Sokol Balla: Të jemi të vetëdijshëm, në Shqipëri zgjedhjet nuk fitohen, por humben. Në këto 20 vjet zgjedhjet në Shqipëri kanë treguar që humben nga pala në pushtet sesa fitohen nga ajo që vjen. Natyrisht, në 2013-n partia juaj dhe koalicioni juaj erdhi me premtime të mëdha, megjithatë Basha dhe administrata e tij ju kanë lënë probleme në derë, që sipas tyre janë bllokuar nga qeveria qendrore, i referohem këtu zgjerimit të Tiranës me bulevardin e ri, çfarë do të ndodhë me të?

Erion Veliaj: Nuk është kështu. Marrim dy raste të ngjashme, vështirësia financiare ku u gjet administrata ime me 31 milionë dollarë borxh, e cila dje arriti të rikonstruktonte 31 çerdhe në total në natyrë prej 2 milionë dollarësh të dhëna nga 31 kompani të kryeqytetit apo organizata në formë solidariteti. Pra ka dy mënyra sesi i qasesh problemeve, njëra ngre duart lart dhe thua s’kam ç’të bëj dhe mënyra tjetër është që të gjesh një zgjidhje.

Sokol Balla: Mund të jetë zgjidhje me kosto edhe kjo e juaja. Ju vetë i referoheshit në Tëitter lypjes, lypja nuk të nxjerr pa gjë, por mund të ketë bisht nga prapa. Sot vjen ndihma në mënyrë solidare, nesër ju kërkohet një favor i caktuar. Si do ta ndaloni këtë? Sepse kjo ka ndodhur në të shkuarën.

Erion Veliaj: Ka instrumenta për këtë. Çdo gjë bëhet në një garë të hapur dhe padyshim që fiton oferta më e ulët. Po të ishte kështu, i bie që të gjithë ata bamirës që sot kanë bërë parqet e Londrës dhe Nju Jorkut do ishin të korruptuar, por nuk është kështu. Ka filantropë në Shqipëri. Dhimitër Tutulani në 1926 në një mënyrë të tillë bëri Beratin dhe nuk është se ndodhi ndonjë hata. Edhe para 100 vitesh kemi patur filantropë në Shqipëri. Shkollat e para shqipe i ndërtuan filantropë që paratë i bënin në Bukuresht dhe shkollat i ndërtonin në Korçë. Le të mos paragjykojmë një proces që ka nisur shumë mirë. Në një qytet që gjeneron 50 përqind të ekonomisë duhet të ketë mjaftueshëm bujari për të rregulluar 31 çerdhe. Unë e di që në Tiranë ka shumë nevoja dhe nuk mund të rregullohen menjëherë. Në rastin e bulevardit të ri, qeveria kishte dhënë garanci sovrane, s’ka lidhje me qeverinë aktuale. Në rastin e kryetarit të bashkisë Lulzim Basha, qeveria e Edi Ramës ka dhënë një grant të pakushtëzuar më të madh se qeveria e Sali Berishës. Pra kur qeveria të ka dhënë garancinë sovrane për borxhin që ke, kur të ka dhënë një grant më të madh dhe e vetmja gjë që është ulur janë të ardhurat e bashkisë, atëherë këtu duhet të ndajmë legjendat urbane nga faktet. Fakti është që qeveria e Ramës e ka paguar, i ka garantuar borxhin, por ke qenë i paaftë të mbledhësh të ardhurat e tua. Pyetja është se çfarë është bërë me këto para? Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë një audit që qytetarët të kuptojnë se ku kanë shkuar paratë e Tiranës.

Sokol Balla: Auditi do të ketë ndonjë përfundim konkret, apo si gjithmonë do të përfundojë me mënyrën si përfundon në Shqipëri?

Erion Veliaj: Mos thoni si gjithmonë…

Sokol Balla: Ka një pjesë të elektoratit, sidomos të majtë që sheh me skepticizëm këto aksionet e dorës së fortë…

Erion Veliaj: Unë flas për punën time. Si ministër i kësaj mazhorance kam adresuar çështjen e korrupsionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, kam denoncuar katër persona, dy janë prapa hekurave, dy janë në prag të dënimit. Këto u bënë pasi bëmë një audit. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në Bashkinë e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë. Këtu edhe auditi për borxhet u refuzua nga Bashkia e Tiranës, këtu edhe kërkesa e prokurorisë për të hetuar lejet e ndërtimeve u refuzua. Përsa kohë unë kam si dëshmi përvojëb time, ku kemi çuar njerëz të hetohen, s’ka asnjë arsye pse të paragjykohem. Po bashkëpunojmë me Prokurorinë.

Sokol Balla: Jo më larg se këto ditë, lidhur me aksionin e disa shembjeve që keni marrë në njësinë 5, kemi patur protesta. Pamë protesta të skuadrës së futbollit të Tiranës, lidhur me mënyrën, sipas tyre preferenciale, që ju po përdorni prishjen e ndërtimeve në kryeqytet duke iu referuar zonës së stadiumit “Selman Stermasi”, i cili edhe ai vetë është në një fazë ringjalljeje.

Erion Veliaj: Punonjësit që ka bashkia për territorin janë të pamjaftueshëm për të nisur një aksion në të gjithë territorin, ndaj mendova që më mirë t’i marrim njësitë me radhë ku i shkojmë në themel në një njësi, sesa të shpërndahemi si akull i hollë, por që thyhet menjëherë. Nisëm tek njësia 5 pikërisht se është njësia ku jam votuar më shumë dhe nuk do doja që dikush të thoshte që filloi në një njësi që është bastion i X apo Y partie. Kemi liruar disa rrugë dhe disa institucione, një shkollë që ishte në mes të trotuarit, shumë territore. Është zhbllokuar një hapësirë që ishte e bllokuar nga një ish-deputet i PD-së përballë stadiumit Dinamo. Ajo është një hapësirë e klubit dhe duke qenë se Bashkia është aksionere e klubit edhe e Bashkisë. Parkingu i është kthyer klubit për nevojat që ka klubi i Tiranës.

Sokol Balla: Këtu është parkingu u një deputeti të PD-së, aty afër është një restorant ku ha drekë dhe darkë ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së.

Erion Veliaj: Protesta në fjalë e klubit të Tiranës i referohet atij restoranti. Jemi treguar të kujdesshëm për të respektuar të gjitha afatet ligjore. Fillimisht restorant “Pulëbardhës” tek stadiumi “Selman Stermasi”, i është kërkuar që të heqë të gjitha barrierat në rrugë, i është kërkuar gjithë dokumentacioni dhe pasi është verifikuar, ai është një ndërtim pa leje.

Sokol Balla: Që do të thotë se do shembet?

Erion Veliaj: Sigurisht që do shembet. Klubi i Tiranës ka të drejtë nëse restoranti në fjalë do të shpëtonte nga ky aksion. Nuk më intereson se kush ish-kryeministër drekon aty. Më intereson fakti që një çiban, në trup të stadiumit dhe kuzhinë, bombula gazi aty ku zhvishen lojtarët nuk mund të ketë.

Sokol Balla: Çfarë do të bëni me lejet e ndërtimit të dhëna?

Erion Veliaj: Për lejet e ndërtimit të dhëna ne kemi çuar në Prokurori të gjithë materialin. Kemi gjetur një sërë shkeljesh dhe do bashkëpunojmë me Prokurorinë për të provuar këto shkelje.

Sokol Balla: Ka disa emergjenca qyteti, e para është nisja e vitit të ri shkollor, çerdhet, kopshtet, shkollat, pastrimi që është një problem jetik dhe shëndetësor dhe problemi tjetër i madh ka të bëjë me territorin. Tirana ka zona që janë me pamje rurale, me karakter të zhvillimit rural, që ju doni të unifikoni me sistemin e urbanizimit të metropolit. Tani që keni 1 muaj në detyrë, çfarë shikoni të pamundur nga ato gjëra që keni premtuar?

Erion Veliaj: Kam tre sfida, më e madhja mosndërprerja e shërbimeve publike në një territor të madh. Kemi një popullsi në Tiranë më e madhe se Mali i Zi. Besoj që e kaluam me sukses. Ka disa procese që duhet të kolaudohen dhe barra e administratorëve të rinj me ekipe të reduktuara.

Sokol Balla: Mesa di unë, të paktën në prapaskenë ka patur debat me mënyrën sesi do të ndaheshin administratorët nga pikëpamja politike. Sa do ndikojë kjo në administrimin integrues që do bëjë Bashkia e Tiranës?

Erion Veliaj: Mjafton t’ju them faktin që asnjë njeri nuk e ka hamendësuar të saktë se nga cila parti vijnë 24 administratorët do të thotë që jemi prezantuar si ekip i Bashkisë së Tiranës. Pastrimi? Duhet të kuptojmë që Tirana në një mandat prodhon mbi 1 milionë tonë mbetje. Është një sfidë se ku shkojnë këto mbetje. Ne do të fusim një proces të ri riciklimi. Do të nisim me projektin pilot të riciklimit në origjinë, por edhe në destinacion. Jemi në një proces rikonceptimi të një projekti me Bankën Botërore dhe IFC-në. Besoj që në këto katër javë të para, Bashkia ka bërë maksimumin e vet për të sjellë një standard të ri të pastrimit. Sot askush nuk mund të na akuzojë se qyteti është më i pistë se ai që gjetëm. Kemi një qytet më të pastër.

Sokol Balla: Njerëzit presin zgjidhje afatgjata. I referohem aksionit, që do të thoja unë pozitiv të goditjes të atyre që ndotin kryeqytetin. Shumica prej këtyre janë abuzues nga halli. Një qytet i madh si Tirana, nuk mund të jetë një qytet pa banjo publike. Jam dakort për ndëshkimin, por jo me mënyrën. Këto banjot që ju keni vendosur, shpresoj të jenë provizore sepse s’mund të jenë një zgjidhje.

Erion Veliaj: Së pari, unë s’e kam problem që me 1 përqind të njerëzve të prishem përsa kohë 99 përqind e njerëzve mbështesin aksionin. Ai është një akti vandalizmi, që ka një kosto në shoqëri. Së pari qytetart e kanë për çështje etike, së dyti është burim infeksionesh, ka një kosto për qytetin. Kabinat provizore që ne kemi vënë janë aty për të hequr alibitë. Ne nuk do të tërhiqemi nga ky operacion, biles do të jemi më të ashpër. Fakti që kemi vendosur 172 gjoba në 3 ditë dhe vetëm 1 gjobë në këto dy ditë tregon që po funksionon.

Sokol Balla: Rama kur ishte kryetar bashkie i kërkoi qeverisë qendrore që shumë kompetenca të policisë t’i kalojnë bashkisë. A keni ju dhe kryeministri ndërmend një gjë të tillë?

Erion Veliaj: Jemi duke diskutuar sesi do të kemi një ndikim më të madh në rendin për kryeqytet.

Sokol Balla: Besoni se qytetarët duhet t’i druhen përqendrimit të pushtetit?

Erion Veliaj: Mendoj që në këto 30 ditë kemi bërë shumë punë në Tiranë, Tirana në këto 30 ditë ka patu një kryetar bashkie më efikas dhe reforma administrative u dha më shumë instrumenta për të bërë më shumë punë.

Sokol Balla: Dhe potencialisht për të abuzuar.

Erion Veliaj: Ka një sistemi kontrolli edhe në mënyrën sesi ligji ka kufizime, edhe në mënyrën sesi policia e rendit ndihmon atë bashkiake. Qeveria qendrore gjithmonë e më shumë në modelin perëndimor është mbikqyrëse e politikave. Sot kemi 61 kryetarë bashkish. Ne patëm një fitore dhe po punojmë për të bindur qytetarët se kjo ishte një zgjedhje e duhur dhe kjo reformë ishte reforma e duhur.

Sokol Balla: Sheshi Skënderbej natën duket bukur, por ka qenë viktimë e stinëve politike. Kush ka ardhur ka vënë dorë. Ky shesh e ka një formë tashmë, kishte një formë tjetër me Ramën dhe ju keni premtuar që do ta ndryshoni sërish. Çfarë do bëni dhe kur?

Erion Veliaj: Patjetër që e ka një formë, por është një rrethrrotullim. Nëse ka njëri sot që ka një fije kulturë dhe të thotë që simboli i shqiptarëve është një rrethrrotullim?! Shumica e njerëzve nuk janë krenarë për këtë nëse ky është simboli ynë. Sot kemi nisur procesin e shpronësimit të të gjithë pallateve që janë në zonën e Unazës së Vogël, pas Hotel Tiranës dhe Rrugës së Barrikadave, procesi i shpronësimit do të ecë në një kohë rekord dhe ne brenda këtij vitit do të kemi bërë punën më të madhe të Unazës së Vogël. I gjithë trafiku zhvendoset vetëm 50 metra nga ku është sot dhe ajo që fitojmë janë disa hektarë në mes të Tiranës për të qenë hapësirë publike për pedonale. 70 përqind e investimit është aty dhe ka mbetur vetëm 30 përqind që është në sipërfaqe. Ambicia jonë është që para 2017-ës ne të mos kemi asnjë pengesë dhe të kemi një shesh ky qytetarët mblidhen faktin që janë në qendër të Shqipërisë dhe Tiranës.

Sokol Balla: Ju nuk e keni premtuar tramin në fushatë, por fakti që bulevardi i ri do nisë shpejt, e çliron Tiranën nga ai përqendrimi vetëm lindje-perëndim dhe e shtyn drejt veriut. Kjo do të kërkojë një transport publik më efikas, trami elektrik në një qytet që vetëm zgjerohet nuk është më një luks, por kthehet në domosdoshmëri.

Erion Veliaj: Bulevardi i ri është sot projekti i parkut qendror dhe parku i Lumit të Tiranës, pra janë dy parqe. I kemi shtuar 12.5 hektarë gjelbërim Tiranës me këtë projekt. Po ushtrojmë simetri urbane duke çuar një park të madh në atë pjesë. Kemi filluar punimet për parkun e lumit dhe unë besoj që duke çuar park edhe vlerën e pronës në ato lagje e kemi rritur. Për çështjen e tramit nuk jam penduar. Në këtë situatë kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur për kompani që janë të interesuara të ndërtojnë një tram të lehtë për në aeroport me çmime të përballueshme. Jemi të hapur për projekte me një kusht që kosto të papërballueshme për qytetarët mes dy lagjeve të Tiranës nuk mund të marrim përsipër dhe borxhe mbi borxhe ne nuk mund të marrim përsipër.

Sokol Balla: Një qytet ka nevojë të shkëputet nga beteja politike e pushtetit qendror dhe ka nevojë për buzëqeshje. Ky është një qytet i ri dhe dinamik, por është sërish në ditët e zymta. Çfarë do bëjë Erion Veliaj për ta kthyer gjallërinë në këtë qytet që tashmë do të drejtojë?

Erion Veliaj: Ne kemi një plan sistemi dhe dizenjimi të qytetit si një frymë optimizmi. Por fillimisht duhet të kemi kapakë pusetash. Kemi ftuar studentë të Akademisë së Arteve për të rifreskuar ngjyrat e qytetit dhe dizenjuar kapakët e pusetave dhe kemi një kalendar ambicioz të vendeve publike. Këtë fundjavë kemi 4 mijë delegatë në një konferencë në përmasa kaq të madhe. Besoj që është e veçantë që në 1 km katrorë gjen kishë dhe xhami dhe tërheq një farë turizmi ndërfetar. Është një nga gjërat që ne nuk debatojmë për të cilën shumë shtete të botës shkojnë për të luftuar. Në këtë kuptim kemi një produkt tipik shqiptar dhe pas kësaj do të rikthejmë traditën e festës së Pezës, pastaj në Shën Gjergj, do të rikthejmë maratonën e Tiranës në një event që e kthen Tiranën dhe e vendos në hartë si qytet i sporteve. Tirana do të jetë qyteti i pesë parqeve. Besoj që kemi një axhendë ambicioze në hapësira dhe aktivitete që i sjellin buzëqeshje qytetarëve. Por edhe nga ana politike kemi disa ndryshime. Unë kam marrëdhënie ditore korrekte me Edi Ramën, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin, Bamir Topin, kam një harmoni të jashtëzakonshme në punën në ekip dhe besoj që doza e debatit politik do të mungojë në këto 4 vite.

Top Channel