UNICEF: Në Lindjen e Mesme 14 milionë fëmijë nuk shkollohen

04/09/2015 00:20

Konfliktet në Lindjen e Mesme kanë lënë pasoja të rënda për rajonin. Vitet e fundit, rreth 14 milionë fëmijëve u është privuar e drejta themelore e shkollimit, pasi si do gjë tjetër atje, edhe arsimimi ka marrë goditjen e luftës.

Në raportin më të ri të UNICEF, thuhet se janë prerë ëndrrat dhe shpresat e një gjenerate të tërë.

2.7 milionë fëmijë të pashkolluar janë sirianë, 3 milionë janë irakianë, 2 milionë janë libanezë, 3.1 milionë sudanezë, si edhe në Jemen numërohen  3 milionë fëmijë të pashkolluar. Konflikti është arsyeja e vetme, ndërsa pasojat janë të shumta. 9 mijë shkolla në atë rajon janë jashtë funksioni, të shkatërruara që përdoren për të strehuar civilë.

Për shkak se këto institucione shpesh kanë qenë targeti i sulmeve të terroristëve, mësuesit janë larguar, shumica jashtë kufijve, duke përjashtuar edhe mundësinë orëve mësimore tjetërkund.

Ndërkaq edhe fëmijët, të cilët së bashku me familjet e tyre kanë lënë pas rajonin e trazuar dhe tashme jetojnë në një vend tjetër, sërish e kanë të privuar mundësinë e shkollimit. Kjo, sepse shtetet mikpritëse me  infrastrukturën e arsimit, thjesht nuk mund të përballen me rritjen e popullatës studentore.

Në mënyrë të përsëritur, UNICEF ka ngritur zërin duke bërë thirrje se gjeneratës që i është mohuar edukimi, tashmë ka nevojë për ndihmë më shumë se kurrë.

Top Channel