Hungari, Parlamenti diskuton krizën e emigrantëve

04/09/2015 08:30

Kriza e emigrantëve sirianë në stacionet hekurudhore të Hungari vazhdon të jetë në përmasa alarmuese për autoritetet vendase.

Qindra refugjatë kaluan natën në bordin e një treni të rrethuar nga forca të shumta policie. Të enjten autoritetet hungareze lejuan emigrantët që të hipnin në tren, por më pas u përpoqën t’i zhvendosin ata në një kamp azilkërkuesish në perëndim të Budapestit.

Gjatë së premtes pritet mbledhja e Parlamentit vendas për të diskutuar masa më të ashpra kontrolli në kufi, edhe pse Hungaria është në fazën e fundit tashmë të ngritjes së murit me tela me gjemba në kufirin me Serbinë, prej nga hyn numri dërrmues i azilkërkuesve sirianë.

Pjesë e diskutimit do të jetë edhe një vendim i mundshëm për të rritur numrin e kampeve dhe debati nëse gjendja e krijuar përbën një “gjendje emergjence”. Kryeministri, Viktor Orban deklaroi të enjten se situata është një “problem gjerman”, pasi “Gjermania është vendi ku azilantët dëshirojnë të shkojnë

Hungaria është ndalesa e fundit e emigrantëve që për destinacion final kanë kryesisht Gjermaninë. Po këtë të premte, udhëheqësit e Bashkimit Europian do të zhvillojnë tre takime për të diskutuar mbi krizën.

Në tryezën e bisedimeve pritet të jetë edhe një propozim i Presidentit të KE-së, Jean Claud Juncker për rritjen e kuotave të pranimit të azilantëve nga 40 mijë që ishte plani në 160 mijë. Propozimi i ri ka të bëjë edhe me nevojën e shpërndarjes së emigrantëve, që kanë zbarkuar kryesisht në Itali, Greqi, Ballkanin Perëndimor dhe në Hungari.

Sistemi i ri i kuotave do të përfshijë gjithashtu edhe vendet, të cilat më herët e kanë refuzuar pranimin e azilantëve. Ndër to, përmendet Hungaria, disa vende të Europës Lindore, si dhe Britania e Madhe.

Mbështetësi i planit “Juncker” është Presidenti i BE-së, Donald Tusk, megjithëse ai propozon zgjerimin e sistemit të kuotave në 100 mijë dhe jo 160 mijë.

Top Channel