Tiranë, qytetarët i bashkohen thirrjes së Bashkisë për pastrim

04/09/2015 00:00

Që në orët e mëngjësit ka nisur aksioni vullnetar për pastrimine Tiranës. Në krye të këtij aksioni kanë qenë të 24 administratorët e territorit të kryeqytetit, 4 nënkryetarët e Bashkisë dhe kryetari Erion Veliaj.

Veliaj është ndalur në mëngjes në Farkë, ku ka ftuar qytetarët që të mos ngurrojnë, por të japin ndihmesën e tyre për pastrimin e Tiranës.

“Në të gjithë 24 njësitë tona kemi patur dalje masive të qytetarëve. Pastrimi që kërkohet në zona të ndryshme është i ndryshëm. Në disa zona po ndërhyjmë me mjete të rënda të ushtrisë, në vende të tjera mjafton vetëm kontributi qytetar. Dua të ndërgjegjësoj qytetarët; na duhet vetëm një orë kohë, ku secili të dalë poshtë pallatit të vet, poshtë shtëpisë së vet, tek shkolla, kopshti apo çerdhja ku çon fëmijët. Besoj se nëse secili jep një dorë, ne mund të kemi një qytet më të pastër”, tha Veliaj.

Më pas kryetari i Bashkisë është ndalur në njësinë administrative numër 8, ku në qendër të aksionit të pastrimit kanë qenë shkollat dhe çerdhet.
 
“Në njësinë 8 fokusi kanë qenë institucionet arsimore dhe një pjesë e madhe e pastrimit ka ndodhur në kopshte, çerdhe dhe rrethrrotull shkollave. Jemi ndarë në 6 grupe, kryetari i Bashkisë, 4 nënkryetarët dhe kryetari i Këshillit Bashkiak. Secili prej nesh po prek të gjitha njësitë. Deri më tani më rezulton një sukses. E di që aksionet vullnetare kanë shumë cinizëm dhe skepticizëm, por gjithë bota kështu funksionon”, u shpreh Veliaj.

Aksionit vullnetar të pastrimit i janë bashkangjitur edhe ata të cilët përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike për të cilën kryebashkiaku deklaroi se ata të parët kanë një detyrim moral ndaj Shqipërisë, por ai theksoi se nuk ka penalizime për ata që nuk kanë dalë për të pastruar.

Top Channel