Fluksi i emigrantëve, OKB: BE të hartojë një strategji

04/09/2015 11:05

Situata e rëndë e krijuar nga fluksi i refugjatëve në Evropë ka shkaktuar reagimin e zyrtarëve më të lartë të OKB dhe Shteteve të Bashkuara.

Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët, Antonio Guterres i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të hartojë një “program për shpërndarjen në masë” të rreth 200 mijë emigrantëve mes shteteve anëtare.

“Eksodi i refugjatëve nga Siria dhe Afrika e Veriut drejt Evropës është një emergjencë e madhe, një krizë reale”, ka dekalruar ndërkohë gjenerali Martin Dempsey, shef i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura amerikane.

Në një intervistë për rrjetin informativ ABC, Dempsey ka shprehur shqetësimin e tij për situatën dhe ka nënvizuar nevojën e veprimit nga të gjitha palët, “si në mënyrë të njëanshme, ashtu edhe në aleancë”.

“Kjo që po ndodh është një problem i përgjithshëm, ndaj duhen paraqitur masat e duhura që të mundësojnë përballimin e krizës për të paktën 20 vjet”, ka thënë Dempsey.

Duke komentuar foton e vogëlushit sirian që nxirrej i vdekur në brigjet e Turqisë, zyrtari amerikan është shprehur se, ajo duhet të japë të njëjtin efekt të sulmit me mortaja të vitit 1995 në sheshin e Sarajevës.

“Sulm që nxiti ndërhyrjen e NATO-s në Bosnje. Pra, nxiti komunitetin ndërkombëtar të vepronte me më shumë efikasitet për të gjetur një zgjidhje ndaj një emergjence dramatike”, ka thënë Dempsey.

Top Channel