Martanesh, protestë kundër HEC-it

04/09/2015 11:45

Banoret e Martaneshit në rrethin e Bulqizës kanë dalë sërish në protestë kundër marrjes së ujit të liqenit të Sopeve. 

Qindra banorë të kësaj krahine, përfshirë edhe gra e fëmijë, kanë protestuar për të dytën herë kundër ndërhyrjes për marrjen e ujit të liqenit për ta përdorur atë për prodhim energjie nga HEC-i e Valikardhës, që po ndërtohet në ish-komunën e Zerqanit. 

Ashtu si dhe në herën e parë, në këtë protestë mori pjesë edhe vetë administratori i njësisë administrative të Martaneshit, Ibrahim Gjoni si dhe kryepleqtë e 7 fshatrave.

Në fjalën e tij administratori Gjoni, tha se janë mbledhur për t’i thënë “Jo korrupsionit, jo masakrës së shëmtuar, jo krimit që duan t’i bëjnë krahinës së Martaneshit”.

Banoret tejet të irrituar, u shprehën se Martaneshit po i merret gjithçka, pyjet, mineralet dhe tani uji.

“Liqenin e Sopeve e kemi ndërtuar vetë me krahët tona dhe nuk mund të na e marri kush, ndaj kërkojme ndihmën e shtetit që të ndalë këtë masakër”- thonë banorët.

Marrja e ujit të këtij liqeni dhe gjithë pellgut ujor të tij, ndikon negativisht, jo vetëm në rezervat e ujit të pijshëm dhe vaditës për 700 hektarë tokë, por edhe në funksionimin e koncesioneve të dhëna për tre HEC-e të ndërtuara në Martanesh e që funksionojnë me këtë uje, duke sjellë kështu një rast flagrant të mbivendosjes së koncesioneve.

Banorët u shprehen që protestat e tyre kundër devijimit të ujit të liqenit te Sopeve, nuk do ketë të ndalur dhe do njohë përshkallëzim të saj, deri në zgjidhjen e këtij problemi. Protestuesit nuk lejuan vijimin e punimeve nga punonjësit e firmës koncesionare, duke ndërhyrë për largimin e makinerive të saj. 

Protesta u zhvillua nën vëzhgimin e forcave të policisë lokale Bulqizë, që mbajti një qëndrim korrekt, duke mos lejuar që konflikti mes protestuesve dhe punonjësve të firmes të përshkallëzohej në dhunë fizike.

Top Channel