Aksioni ndaj informalitetit, Vjero: Në gusht-shtator, fluks regjistrimesh

04/09/2015 12:55

Sportelet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit vazhdojnë të jenë më të dyndurat në vend, ku me qindra biznese ligjërojnë aktivitetin e tyre, pas paralajmërimeve të qeverisë për të ndëshkuar evazorët.

Drejtoresha e QKR-së, Vasilika Vjero ka deklaruar se gjatë muajit gusht janë regjistruar 7 herë më shumë biznese se një vit më parë, ose 4.800. Ndërsa vetëm gjatë ditëve të para të shtatorit ky numër është më shumë se gjysma.

“Gjatë ditëve të para të muajit shtator, numri i bizneseve të regjistruara është mbi 2.500, ose 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Në sportele vijon të ketë një fluks të lartë dhe numri i veprimeve në ditë është mbi 1.100”, ka thënë Vjero.

Bizneset kanë kërkuar shtimin e sporteleve për të shmangur qëndrimin në radhë të gjata. Por Vjero shpjegon se QKR funksionon mbi një numër të përcaktuar sportelesh, vlerësuar në bazën e një fluksi real kërkesash. Në kushtet aktuale, Vjero këshillon regjistrimin online që ofrohet përmes plaformës qeveritare e-Albania.

“Përveç regjistrimit në sportelet tona ekziston edhe një mënyrë shumë e thjeshtë regjistrimi, ajo përmes sistemit online. Ky sistem është i thjeshtë, eleminon radhët e gjata dhe është pa kosto shtesë për binznesin”, ka nënvizuar Vjero.

Top Channel