Padi për Vangjush Dakon për ndotje të mjedisit

04/09/2015 13:25

Djegia e plehrave në Porto-Romano, një shqetësim i zakonshëm për banorët e gjithë Durrësit, është sjellë te premten sërish në qendër të akuzave të PD-së kundrejt bashkisë.

Kryetari i degës së PD-së në Durrës, Osman Stafa, ka denoncuar në Prokurori kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për ndotje të ambientit dhe shpërdorim detyre.

Stafa shprehet se, “ky krim realizohet çdo ditë nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë, që me veprimet dhe mosveprimet e tij ka urdhëruar ose lejuar djegien e plehrave e për pasojë ndotjen e ajrit në zonën e Porto Romanos dhe gjithë Durrësit, duke ndotur kështu ajrin tej normave të lejuara dhe të parashikuara në legjislacionin mjedisor shqiptar, si dhe në Konventat Nderkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, të ratifikuara nga Republika e Shqiperisë”.

Çështja e djegies së mbeturinave urbane ka qenë gjithmonë temë e nxehtë politike dhe mjedisore. Disa muaj më parë, nga Ministria e Mjedisit u konfirmua se qeveria kishte gati fondin për të ndërtuar një landfill në Manzë.

Top Channel