Lushnje, mbetjet spitalore rrezikojnë shëndetin e banorëve

04/09/2015 14:05

Ujrat e zeza po shkaktojnë nivele të larta të ndotjes në qytetin e Lushnjes. Zona më e prekur është lagjja ”Xhevdet Nepravishta”, ku banorët përballen me këtë problematikë prej disa vitesh.

Ata thonë se këto ujra shkarkohen në ambiente të hapura të kanalit, i cili kalon përpara banesave të tyre.

Niveli i ndotjes është tepër i lartë, pasi këtu shkarkohen ujrat e zeza të spitalit, mbetjet e një fabrike qumështi dhe ujrat e larta që vijnë nga kodra.

Kanali është ndërtuar si kolektor për shkarkimin e ujrave të bardha të kodrave të qytetit të Lushnjes, ndërsa sot ai është kthyer si rezervuar për derdhjen e ujrave të zeza të spitalit.

Për shkak të ndërtimeve pa leje, në segmente të ndryshme kanali është i bllokuar tërësisht duke sjellë shpërthimin e ujrave të zeza në periudhën e dimrit nëpër rruge.

Spitali i Lushnjes, i cili deri në 2006 e ka vuajtur problemin e ujrave të zeza brenda territorit të tij, sot jep alarmin për banorët e lagjes. Nëpërmjet këtyre ujrave përhapen infeksione të ndryshme.

Top Channel