Zonat e lira ekonomike, Ahmetaj: Në Spitallë presim 1 mld dollarë investime

04/09/2015 14:30

Qeveria është duke përshpejtuar procedurat për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë të Durrësit, një projekt përmes të cilit synon të thithë mbi 1 miliardë dollarë investime dhe të hapë 15 mijë vende pune për 5 vitet e ardhshme.

“Hapja e ofertave do të bëhet më datë 28 tetor. Komisionet e vlerësimit të ofertave brenda 30 ditësh bëjnë vlerësimin e ofertave dhe renditjen e ofertuesit, duke nisur nga ofertuesit me më shumë pikë në bazë të atyre kritereve”, tha ministri Ahmetaj.

Qeveria shpreson që brenda dy muajve të ketë oferta nga kompani të fuqishme për ndërtimin e zonës me sipërfaqe 500 hektarë, ku më pas pritet të instalohen qindra biznese. Por sipërmarrësit vendas kërkojnë më shumë kohë.

“Tani për të bërë një projekt kaq të madh, siç është aktivizimi i kapitaleve tona në zona kaq të rëndësishme duhet të mendohemi pak më shumë, dy muaj janë shumë pak”, tha Luan Bregasi, BiznesAlbania.

“Mendoj që është kohë e pamjaftueshme për një investitor, për një projekt kaq të madh, që të bëjë plan biznesi, dhe të ketë të identifikuara qartë gjithë burimet e financimit”, tha Egla Ballta, përfaqësuese e BERZH-it.

“Unë besoj, ne besojmë të gjithë, e kemi konsultuar që 65 ditë plus 4 muaj përpara ne besojmë që janë të mjaftueshme për zhvillues të interesuar, që të kenë një projekt shumë dinjitoz”, tha Ahmetaj.

Një tjetër shqetësim i biznesit është ai i lehtësive tatimore. Nikolin Jaka thotë se vendet fqinje japin më shumë incentiva fiskale për zonat e lira, por qeveria ka një tjetër vlerësim.

“Maqedonia e ka 50 lehtësinë tatimore dhe 50 rimbursimin e sigurimeve shoqërore. Madje kanë dhe një shumë të caktuar, 3 mijë euro për çdo punësim. Serbia e ka 10 vjet lehtësinë tatimore, ne jemi akoma te zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe jo tek zona e lirë ekonomike”, tha Nikolin Jaka, kreu i DHTI-së.

“Është zonë e lirë ekonomike pese në terminologji dhe agresive në lehtësitë administrative proceduriale dhe fiskale. E krahasuar me Serbinë dhe Maqedoninë, përkundrazi është më e shëndetshme sepse nuk jep subvencione po fut dorën e kujdesit në bilanc, tek produktiviteti i kompanive, pa rrëzuar logjikën fiskale të ekonomisë”, tha ministri Ahmetaj.

Projekti për ndërtimin e zonave të lira ekonomike është lançuar që në 2006, por deri më tani gjithmonë ka dështuar. Këtë herë qeveria ka punuar me ekspertë nga universiteti i mirënjohur i Harvardit dhe beson se ka gjetur formulën e duhur për realizimin e këtij projekti.

Top Channel