“Beteja” hungareze me refugjatët, që refuzojnë të shkojnë në kampe

04/09/2015 15:10

Ngërçi mes forcave policore hungareze dhe emigrantëve, në stacionin qendror të trenave në Budapest, vazhdon për të dytën ditë me radhë.

Të enjten, refugjatët u lejuan të ngjiteshin në njërin prej trenave, por pas kësaj autoritetet u përpoqën t’i dërgonin në një kamp në Perëndim të kryeqytetit.

Fotografitë e një burri të dëshpëruar, që qan dhe lutet me të madhe të mos i largojnë, janë kthyer në dëshminë më të fundit të dëshpërimit, që ka pushtuar emigrantët e bllokuar në Hungari. Bashkë me të shoqen dhe fëmijën, ai u shtri në shinat e trenit, nga ku policët i tërhoqën zvarrë që të tre.

Ligjvënësit hungarezë do të votojnë më vonë, gjatë ditës, për forcimin ose jo të kufijve përballë valës së paprecendentë të të ardhurve, që kalojnë tranzit në këtë vend, e që për destinacion përfundimtar kanë Gjermaninë.

Tre takime të tjera europiane mbahen po sot mbi krizën e emigrantëve. Disa anëtarë të Komisionit Europian përgatiten të fluturojnë drejt ishullit grek të Kosit, për të parë nga afër situatën dhe vështirësitë e shkaktuara nga zbarkimi i një numri të madh refugjatësh.

Në këtë situatë, Kombet e Bashkuara i kërkuan BE-së të pranojë deri në 200 mijë emigrantë, si pjesë e një programi masiv rishpërndarjeje, i cili detyron pjesëmarrjen e të gjithë shteteve anëtare.

Në deklaratën e lëshuar nga komisioneri i Lartë për Refugjatët, Antonio Gutierres, thuhet se Europa duhet të ndërtojë qendra të përshtatshme pritjeje, sidomos në Greqi, e ta zëvendësojë qasjen “pak nga pak” me një “strategji të përbashkët”.

Bashkimi Europian, bllok 28-anëtarësh, po përpiqet prej muajsh të tërë të përballet me trajtimin e mbi 332 mijë migruesve, që kanë mbërritur gjatë këtij viti, fluksi më i madh i emigrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel