Kosovë, Veriu mbetet jashtë sistemit të taksave

04/09/2015 16:15

Autoritetet në Kosovë mund të krenohen me zbatimin e paketës së re fiskale, por deri në pikën kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës.

Gjatë zhvillimit të një konference të institucioneve kryesore në vend, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Nahit Sharku nuk pati një përgjigje konkrete në lidhje me zbatueshmërinë e ndryshimeve të reja në politikat fiskale, në 4 komunat veriore të Kosovës, të cilat ende janë jashtë kontrollit të plotë institucional.

“Çdo ligj në Kosovë vlen për të gjithë territorin e vendit. Edhe kjo paketë fiskale nënkupton që do të vlejë për të gjithë territorin e Kosovës. Çështja e zbatimit është çështje procesi dhe ne do ta shohim bashkërisht se, sa dhe ku do të jetë e zbatueshme”, tha Nahit Sharku, ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të  ATK-së.

Vlerësime mjaft pozitive për ndryshimet e bëra jep edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili tha se një politikë e tillë është kërkuar që nga paslufta. Ai shtoi se janë plotësuar kërkesat e biznesit të sektorit privat, që kanë të bëjnë me lirimin nga TVSH-ja e lëndës së parë dhe makinerive të prodhimit.

“Si shoqëri, kemi kërkuar prej 16 vitesh ndryshimet e politikës fiskale. Shumë vetë, pa e ditur se çfarë është ajo, po japin informacione të ndryshme, e në këtë drejtim duhet të kemi parasysh se, ky ndryshim ka përmasat e caktuara”, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK.

Edhe për Doganën e Kosovës, pjesa më e rëndësishme e ligji është heqja e tatimit për lëndën e parë, makineritë prodhuese dhe teknologjinë. Për zbatimin e këtyre rregullave ligjore, dhe në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësirat fiskale, prodhuesit kosovarë duhet të aplikojnë pranë administratës tatimore, duke plotësuar formularë me të dhëna, për produktet që do të nxjerrin në treg.

Top Channel