Sulmi në Bangkok, riparohet tempulli i dëmtuar

04/09/2015 16:50

Artistët në Bangkok riparuan statujën e dëmtuar në tempullin e Erawan, pas sulmit me bombë të muajit të kaluar. Bëhet fjalë për statujën me 4 kokë të perendisë Hindu, Brahma.

Ajo u dëmtua në të paktën 12 vende. Tempulli konsiderohet i shenjtë edhe për budistët tajlandezë dhe vizitohet nga shumë turistë.

Në ceremoninë me rastin e riparimit të tempullit ditën e premte, morën pjesë besimtarë dhe ushtarë tajlandezë.

Riparimet u kryen nga Departamenti për Artet e Bukura në Ministrinë e Kulturës.

Në hapje të ceremonisë, ministri i Kulturës tha se statuja do të ndihmojë në krijimin e besimit dhe për të ngritur moralin e popullit tajlandez e gjithashtu edhe të turistëve.

Dy persona janë arrestuar në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 17 gusht dhe janë lëshuar gjithashtu një numër urdhërarrestesh. Por, deri më tani asnjë individ apo grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin ku mbetën të vrarë 20 persona e u plagosën dhjetëra të tjerë.

Top Channel