SHBA, gushti me 173 mijë vende të reja pune. Papunësia në 5,1%

04/09/2015 17:00

Departamenti i Punësimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar këtë të premte hapjen e 173 mijë vendeve të reja të punës gjatë muajit gusht, në atë që konsiderohet si raporti i fundit i papunësisë përpara vendimit për rritjen e normës së interesit gjatë shtatorit nga Rezerva Federale.

Edhe pse janë hapur kaq shumë vende të reja pune, analistët thonë se shifrat janë shumë më të ulëta nga sa ishin parashikuar, plot 217 mijë vende të reja, gjithsesi Departamenti i Punësimit ka bërë të ditur se shifrat e gushtit mbeten subjekt i një rishikimi.

Gjatë kësaj periudhe, norma e papunësisë ra në 5,1 për qind, nga 5,3% që shënonte në korrik. Kjo normë është më e ulëta që prej prillit të vitit 2008. Efektet e para janë dhënë në bursën amerikane të “Wall Street”, ku indeksi S&P 500 ka rënë me 1,3% dhe ai i “Dow Jones”-it me 1,2%.

Tregjet e bursave europiane, të cilat ishin duke tregtuar në nivele të ulëta edhe përpara publikimit të këtyre shifrave, kanë “zgjeruar” kështu humbjet, teksa “FTSE 100” e Londrës ka me 2% kurse indekset e Parisit dhe Frankfurtit ranë me 2,5%.

Nga rishikimi i shifrave të dy muajve të mëparshëm, gjatë korrikut janë shtuar edhe 44 mijë vende të reja pune, duke kapur shifrat e 245 mijë të tillave, nga 201 mijë që ishin bërë të ditura.

Top Channel