Funerali i 3-vjeçarit Aylan; Kobani “mbytet” në lotë

04/09/2015 19:35

Eshtrat e dy fëmijëve të vegjël, njëri 3 dhe tjetri 5 vjeç, si dhe nënës së tyre, që humbën jetën të mbytur në brigjet e ishujve grekë, gjatë tentativës për një jetë më të mirë në Europë, janë dërguar mbrapsht në Siri për t’u varrosur.

Funeralet për trupat e pajetë të 3 viktimave, të këtij fluksi emigrantësh të paparë që prej Luftës së Dytë Botërore për Europën, u zhvilluan në qytetin sirian të dominuar kryesisht nga kurdët, Kobani.

Pasi varroi gruan dhe dy djemtë e tij, Abdullah Kurdi foli për mediat. “Qeveria kanadeze refuzoi të na jepte azil. Motra ime, që jeton atje, më kërkoi se çfarë dëshiroja të bëja. I thashë se, e vetmja mundësi zgjidhjeje ishte të shkoja përmes trafikantëve në Gjermani apo në një tjetër vend europian”.

Imazhet e trupit të pajetë të 3-vjeçarit Aylan, të nxjerrë nga dallgët në brigjet e ishullit grek, shkaktuan ankth dhe zemërim kur dolën në faqet e para të gazetave apo mediave online anembanë botës.

Por, pse po largohen njerëzit nga Kobani? Ky qytet u bë simbol i rezistencës kurde gjatë muajit janar, kur mori fund pushtimi nga militantët e Shtetit Islamik. Megjithatë, një ofensivë e re e ISIS në qershor detyroi mijëra banorët e tij të largoheshin nga qyteti dhe të provonin perspektivat e tyre diku tjetër.

Top Channel