Mbi 6000 azilantë janë duke pritur në radhë, për të hyrë në qendrën e pranimit në Preshevë. Plot 4000 refugjatë kanë mbërritur vetëm gjatë natës së fundit në Serbi, duke e bërë këtë fluks të konsiderohet si një nga krizat më të mëdha të shkaktuara në këtë vend, gjatë valës së fundit të azilantëve.

Qendrën e strehimit në Preshevë e ka vizituar ambasadori britanik në Serbi, i cili ka thënë se duhet një mbështetje e gjerë.

“Unë kam ardhur këtu të shpreh mbështetjen tonë për njerëzit këtu, për banorët, teksa vlerësojmë punën e Serbisë në këto ditë të vështira për të gjithë”, tha Denis Keefe, ambasador i Britanisë së Madhe, Beograd.

Problemi më i madh që haset është mungesa e ndihmave dhe kushteve të strehimit të refugjatëve. Zyrtarët serbë frikësohen se dimri do të jetë i ashpër, ndaj dhe duhen marrë masat qysh tani.

“Nuk mund të guxojmë ta presim dimrin kështu, në këto tenda. Besoj se janë krijuar kushtet për të folur me bashkësinë ndërkombëtare, për kujdesin që do të duhet të kemi për refugjatët”, tha Zoran Stankoviç, nga Zyra për Jugun.

Vala e futjes së emigrantëve në Serbi nuk ka të ndalur, teksa disa besojnë se fundjava do të shënojë kulmin e numrit të azilantëve, që përmes kalimit tranzit në Serbi synojnë të mbërrijnë në Europë, veçanërisht në Gjermani.

Top Channel