De Biasi: Mund të fitonim. Cana: Barazim me vlera

04/09/2015 00:00

Menjëherë pas ndeshjes, trajneri i kombëtares shqiptare, italiani De Biasi, u shpreh se Danimarka ishte e rrezikshme, por në fund, nëse do të kishim shfrytëzuar rastin e krijuar, mund ta kishim fituar ndeshjen.

Italiani shtoi se tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar të sfida ndaj Portugalisë.

“Danimarka tentoi që të shfrytëzonte faktorin fushë duke sulmuar pa pushim, por ishim në lartësinë e duhur duke mos pësuar gol. Kishim një rast të mirë në fund për të shënuar dhe mbyllur ndeshjen me Roshin, por nuk u treguam të saktë. Të hënën na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Portugalisë, por duhet të marrim maksimumin për të luftuar me Danimarkën për vendin e dytë”, tha De Biasi.

Ndërsa kapiteni i kuqezinjve tha se, barazimi është një rezultat që vlen shumë, i marrë kundër një Danimarke të fortë.

“Danimarka është një ekip shumë i fortë, sidomos fizikisht. Ata tentuan të shfrytëzonin luftën në afër, por arritëm që të mos pësonim deri në fund. Mendoj që është një pikë shumë e rëndësishme, e cila na ndihmon për garën në vendin e dytë. Tani do të fillojmë që të mendojmë për ndeshjen me Portugalinë në Elbasan”, tha Cana.

Top Channel