Duka: Barazimi na jep forcë dhe siguri për të ardhmen

05/09/2015 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh për Supersport pas takimit se barazimi i arritur ndaj Danimarkës në Kopenhagen është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se është marrë ndaj një kundërshtari direkt.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, me shumë emocion. Ndoshta kemi bërë edhe ndonjë gabim, por e rëndësishme është që arritëm të marrim një pikë në një fushë shumë të vështirë ndaj një kundërshtari direkt. Ky barazim na jep më shumë forcë dhe siguri për të ardhmen”, tha pas ndeshjes presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

I të njëjtit mendim ishte edhe Alban Bushi, menaxher i Kombëtares, i cili shtoi se megjithëse tashmë vendin i tretë është i sigurt për të dytin asgjë nuk ka mbaruar pasi në lojë për ne janë edhe 9 pikë.

“Ky barazim na jep akoma më shumë shanse për të zënë vendin e dytë, megjithëse asgjë nuk ka mbaruar pasi janë 9 pikë në lojë për ne dhe 6 pikë për Danimarkën. Megjithatë ky ishte një barazim shumë i rëndësishëm”, u shpreh Alban Bushi, menaxher i Kombëtares shqiptare.

Top Channel