Përleshje e armatosur në Laç, 7 të plagosur; arrestohet deputeti Armando Prenga

05/09/2015 00:00

Situata në qytetin e Laçit pas konfliktit mes dy familjeve për çështje pronësie, konflikt në të cilin u përfshi edhe një deputet i Kuvendit, mbetet e tensionuar. Postoblloqet e Forcave të Ndërhyjes së Shpejtë kontrollojnë auomjetet, ndërkohë që të pranishme janë edhe forcat e RENEA-s.

Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga është arrestuar pas përfshirjes në një përleshje ku kanë mbetur të plagosur shtatë persona.

Prenga akuzohet për “plagosje të rëndë”, kanosje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Sherri ka nisur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23.40 mes familjes Prenga, konkretisht deputetit Armando Prenga dhe vëllait të tij Eduard, me anëtarë të familjes Cali.

Shkak ka qenë një konflikt i hershëm që lidhet me pronësinë mbi një pjesë të Lagunës së Patokut.

Sipas policisë, deputeti Prenga ka shkuar në një lokal që ndodhet në lagunë e që është pronë e vëllezërve Cali dhe ka sulmuar pronarin. Të dëmtuarit dëshmojnë se deputeti i ka goditur ata me qytën e pistoletës. Pas këtij konflikti, në grindje janë përfshirë edhe të tjerë persona.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shtetasi Gjok Cali ishte paraqitur në komisariat për të bërë denoncimin, ndërkohë që drejt komisariatit ishin nisur edhe grupet që ishin në konflikt.

Ato janë përleshur mes tyre duke përdor mjete të forta dhe armë zjari dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 7 persona, pesë prej të cilëve nga familja Cali, banues në Fushë Kuqe të Krujës.

Njëri prej tyre është plagosur me armë zjarri dhe dyshohet që autor ka qenë pikërisht deputeti Prenga. Sipas policisë, përleshja ka ndodhur pranë komisariatit, ndërsa pala tjetër në konflikt me Prengën thotë se përleshja ka ndodhur brenda mjediseve të komisariatit.
Jo zyrtarisht thuhet se deputeti e ka kërcënuar Gjok Calin që të tërhiqet e të mos denoncojë.

Pas kësaj ngjarjeje të plagosurve u është dhënë ndihma e parë në spitalin e Laçit e më pas janë dërguar në Tiranë, ndërsa është vendosur masa e arrestit për të gjithë personat e përfshirë në këtë përleshje, mes të cilëve edhe për deputetin Armando Prenga, i cili ndodhet në mjediset e Drejtorisë së Policisë në Tiranë.

Gjithashtu, pranë kësaj drejtorie janë shoqëruar edhe 36 persona që kanë qenë dëshmitarë. Konfliki mes palëve ka lindur për shkak se familja Cali kishte patur leje shfrytëzimi për një zonë peshkimi në Lagunën e Patokut, por në muajin prill liçenca i ishte hequr dhe i ishte dhënë vëllait të deputetit Prenga.

Pas kësaj, familja Cali i është drejtuar Gjykatës Administrative, duke ngritur padi civile për shfuqizimin e këtij akti adiministrativ. Çështa aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë. Që nga ajo kohë, palët ishin në një konflikt që ka kulmuar me ngjarjen e mbrëmshme.

Top Channel