Vdekja e Aylan Kurdi, shtohen donacionet për refugjatët

05/09/2015 12:10

Fotoja drithëruese e trupit të pajetë të Aylan Kurdit, tre vjeçarit të mbytur bashkë me të ëmën dhe vëllanë në ujërat turke që deti e nxorri në një breg të Bodrumit, ka çuar në një shtim të menjëhershëm të donacioneve për refugjatët. Batica e indiferencës po tërhiqet, ishin komentet e organizatave të bamirësisë, të angazhuara të zbusin disi krizën e refugjatëve në Europë.

Nga publiku ka pasur një reagim gjigand, i tha AFP-së Christian Peregrin, zëdhënës i organizatës Migrant Offshore Aid Station me seli në Maltë. MOAS, sipas tij, merr zakonisht 10.000 euro donacione në ditë, por pasi fotoja e fëmijës së shtrirë të pajetë në brigjet turke bëri xhiron e botës, niveli i dhurimeve ka mbërritur në 1 milionë euro. Pohime të ngjashme për Loas Angeles Times edhe organizata jo qeveritare e krishterë, World Vision.

Një ditë pas shpërndarjes online të fotografisë së dhimbshme që preku zemrat e mijëra njerëzve anembanë globit, donacionet për emigrantët janë trefishuar. Një tjetër organizatë bamirësie me qendër në Shtetet e Bashkuara, Islamic Relief, raportoi rritje të donacioneve me 100%.

Mbi 100.000 dollarë ka marrë UNHCR përmes faqes së saj të donacioneve globale, çka i detyrohet edhe kjo sipas gjasave, dhimbjes së përjetuar nga fotoja tragjike. Për këshillin hollandez të refugjatëve, fatkeqësia e familjes nga qyteti kurd i Kobanës e përjetësuar në celuloid ka shërbyer si një katalizator masiv për mobilizimin e dhurimeve. Një prej punonjësve të tij i tha AFP-së së tani njerëzit e kuptojmë që duhet të bëjmë më shumë për personat në nevojë. Megjithatë, që përpara se imazhet tronditëse të mbushnin faqet e para të gazetave ndërkombëtare, Gjermania kishte regjistruar një rritje të simpatisë për të ardhurit.

Kur qindra emigrantë u bllokuan në Hungari, shoqatat gjermane të bamirësisë u mbytën siç thonë me ushqime, veshje dhe lodra, të cilet t’iu shpërndaheshin familjeve të refugjatëve kur të mbërrinin në Mynih.

Top Channel