Rama në Vlorë, takim me drejtuesit e tatimeve

05/09/2015 12:35

Kreu i qeverisë, Edi Rama, prej orës 10:30 të paradites së të shtunës ka qenë në një takim me dyer të mbyllura me Administratën Tatimore në Vlorë, ku pjesë e takimit ka qenë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj.

Sipas burmeve nga takimi, është diskutuar për aksionin e nisur tashmë kundër informalitetit, ku janë dhënë dhe specifikat nga kreu i qeverisë dhe kreu i Tatimeve si edhe prioritetet.

Sipas të njëjtave burime, është kërkuar angazhim maksimal i grupeve të punës dhe mbarë adminitratës tatimore.
 
Pas takimit, Edi Rama, i shoqëruar nga Shehaj dhe Drejtoresha Rajonale e Tatimeve Vlorë, Pranvera Resulaj, ka zhvilluar një vizitë në një supermarket të qytetit. Më tej, Rama dhe Shehaj janë larguar në drejtim të Tiranës.

E pyetur nga gazetarët, Drejtoresha e Tatimeve Vlorë, Pranvera Resulaj, tha se aktualisht në terren janë 44 grupe pune, në kuadër të aksionit kundër informalitetit. Resulaj shtoi se Vlora ka probleme dhe kjo vizitë e kryeministrit dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve dëshmon mbështetjen e madhe që ky aksion ka nga strukturat e qeverisë në mbrojtje të biznesit taksapagues dhe konsumatorit.

Top Channel