Basha: Ky është fundi i shtetit ligjor

05/09/2015 13:10

Lulzim Basha ishte aktiv që në mëngjes për të denoncuar publikisht përpjekjet që sipas tij po bënte kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm për të mbrojtur deputetin Armando Prenga, që plagosi disa persona brenda në komisariatin e policisë së Laçit.

Por, siç thotë, kreu i opozitës, kryeministri dështoi pas presionit të partnerëve ndërkombëtarë.

“Për 8 orë me radhë, me urdhër të Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit, policia vendosi një shtetrrethim të vërtetë në vendngjarje dhe tek spitali për të fshehur ngjarjen, për të mos dhënë informacion, për të manipuluar provat, për të mbrojtur agresorin, të përzgjedhurin e Edi Ramës në Laç. Terri informativ për këtë ngjarje të rëndë u thye vetëm pas denoncimit tonë. Por përpjekjet e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit për të mbrojtur deputetin kriminel nuk rreshtën, derisa u përballën me presionin e opozitës, partnerëve ndërkombëtarë dhe kurajon e disa mediave për të hedhur ditë mbi të vërtetën”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të PD, për këtë ngjarje ka vetëm një përgjegjës. “Ky është fundi i shtetit ligjor në vend dhe pavarësisht se armët i shkrehu një deputet bandit, autori i kësaj gjendjeje të rëndë është Edi Rama”, theksoi Basha.

Kreu i opozitës e argumentoi këtë përcaktim duke renditur si dy fakte domethënëse se ishte Edi Rama ai që përzgjodhi si deputet në Laç Armando Prengën për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe që e shpërbleu një vt e gjysmë më parë me Lagunën e Patokut.

“Merret gangsteri, bëhet deputet, i jepet edhe më shumë pushtet, i jepet më pas edhe pasuri publike dhe ligji nuk vepron mbi të. Hyn në komisariat, hap zjarr mbi qytetarët dhe policia e shteti bëjnë gjithçka për të qenë në anën e tij. Kjo është prekja e fundit. S’ka më shtet, ska më standarde”, vlerësoi Basha.

Lulzim Basha e përshkroi situatën si dramatike, jo vetëm pse sipas tij Edi Rama ka sjellë në Parlament deputetë me të shkuar kriminale, por edhe sepse Parlamenti drejtohet nga Ilir Meta, i akuzuar para disa muajsh për vrasjen e dy deputetëve dhe tani për një aferë gjigande korruptive.

Situata është dramatike, siç thotë Basha, edhe pse ministri i Brendshëm akuzhet me prova serioze se mbron një nga linjat më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të drogës.

“Të gjithë këtë mekanizëm kriminal e mban në këmbë dhe e kontrollon Edi Rama, që tërheq fijet sipas interesave të pushtetit të tij. Frytet janë këto, gjakderdhje, trafik droge, çensurë medias, vrasje, sulm dhe goditje opozitës. Ky është sundimi, shtypja e qytetarëve, me anë të krimit dhe kriminelëve. Edi Rama e themeloi aleancën me krimin, erdhi në pushtet me krimin dhe po qeveris me krimin”, tha Basha.

Kjo ngjarje, mesa duket, ka hequr çdo dyshim për aksionin e ardhshëm të opozitës.

“Jemi sot nën një tutelë banditësh. Edi Rama nuk na ka lënë zgjidhje tjetër, përveçse të ngrihemi në këmbë. I madh e i vogël, prind e qytetar, të rinj e të reja. Do të ngrihemi e do t’i japim fund këtij pushteti tërësisht të inkriminuar. Sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa”, shtoi Basha.

Top Channel