Danezët: Dështuam ndaj Shqipërisë; mediat italiane përgëzojnë De Biasin

05/09/2015 00:00

Mediat daneze e kanë cilësuar dështim barazimin pa gola të kombëtares së tyre me përfaqësuesen e Shqipërisë. Në analizën e saj, e përditshmja Extrabladet ka theksuar se danimarka e Morten Olsen nuk e ka cilësinë e duhur për të qenë mes skuadrave më të mira të Europës.

Sipas analistëve sportive danez, trajneri Olsen e ka humbur mprehtësinë për të zgjedhur lojtarët e duhur në kombëtare, për të lexuar ndeshjen dhe për të bërë ndërrimet e duhura në momentin e duhur. 66-vjecari ka qenë adresa e kritikave edhe e mediave të tjera daneze, shumë prej të cilave janë habitur me deklaratat e tij të cilat më shumë sesa për ndeshjen kishin të bënin me fotot e Ballist Morinës me lojtarët e kombëtares shqiptare. Një hapësirë të rëndësishme kësaj ndeshjeje i kanë kushtur edhe mediat italiane, të cilat sigurisht në titujt e tyre flasin për italianin Gianni De Biasi.

“Barazim i artë për De Biasin” është titulli i Gazzeta Dello Sport ndërkohë që TGCom ka vlerësuar zgjedhjet e trajnerit për atë barazim në Kopenhagen, rezultat që mban akoma Shqipërinë në garë për të kualifikuar direkt në Euro 2016. Ndërsa titulli i të përditshmes spanjolle As është: “Danimarka nuk mundet t’ia dalë përballë një Shqipërie që vazhdon të ëndërrojë”.

Top Channel