Basha: Rama, terr informativ dhe shkelje të ligjit për të mbrojtur Prengën

05/09/2015 15:30

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në vijim të reagimit të tij lidhur me ngjarjen e ndodhur në Laç, ku u përfshi deputeti socialist Armando Prenga, ka akuzuar kryeministrin se është përpjekur të mbajë ngjarjen të fshehtë dhe ka shkelur ligjin për të mbrojtur deputetin e tij.

“Për 10 orë, Edi Rama e mbajti mbi ligjin deputetin e tij, pasi kishte lënë disa të plagosur me armë tek dera e komisariatit. E mbrojti, i dha imunitet dhe urdhëroi terr informativ për krimin e shumëfishtë. Nuk ishte një sjellje e turpshme, siç thotë tani kryepërgjegjësi, ishte një kasaphanë, një shkrehje e përgjakshme armësh e të përzgjedhurit të tij mu brenda në komisariat. Kur presioni u rrit, kur opozita dhe qytetarët denoncuan, kur partnerët ndërkombëtarë u interesuan, vetëm kur e pa se nuk kish nga t’ia mbante, atëherë nisi zbatimi i ligjit”, vijon Basha reagimin e tij në rrjetet sociale.

Ndaj, shprehet kryetari i PD, qëndrimi i kryeministrit është i papranueshëm dhe i pabesueshëm, duke pasur parasysh faktin se Rama e zgjodhi Prengën deputet, pavarësisht se ishte në dijeni të të shkuarës së tij kriminale.

“E bëri deputet, e vërsuli kundër kundërshtarit politik në Kuvend, e dekoroi publikisht duke i dhënë mbi ligjin dhe kundër ligjit Lagunën e Patokut dhe tani del e tallet duke përmendur ligjin. Ligji u ndalua dhe ligji ndalohet të funksionojë kur nuk i volit Edi Ramës”, ka thënë Basha.

Sipas tij, mbi ligjin dhe kundër ligjit sot sundon krimi dhe kriminelët e bërë njësh me pushtetin.

“Mbi ligjin dhe kundër ligjit, Edi Rama mbrojti Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreun. Mbi ligjin dhe kundër ligjit e la narkotrafikantin Pllana të strehohej në veturën e deputetit të tij Mark Frroku. Mbi ligjin dhe kundër ligjit e la të arratisej Arben Frrokun pasi e përdori për fushatë. Mbi ligjin, kundër ligjit dhe jashtë ligjit është sot Sajmir Tahiri, i denoncuar publikisht si kumbari i bandave të drogës. Mbi ligjin është edhe ortaku i tij Meta, të cilin vetë avokatët e huaj të qeverisë së tij e kanë shënuar si përfitues rryshfetesh miliona euro në aferën e CEZ-it. Por ka një ligj që ai nuk e ndal dot. Sovranin që do t’i tregojë derën krimit dhe sundimit të krimit”, ka shtuar Basha.

Top Channel