Emigrantët e parë mbërrijnë në Gjermani, priten me duartrokitje

05/09/2015 18:00

Grupi i parë i emigrantëve, që pritet të arrijnë në rreth 10 mijë, ka mbërritur këtë të shtunë në Mynih të Gjermanisë, pas udhëtimit të vështirë nga Hungaria në Austri e më pas në “tokën e premtuar”.

Shtetas gjermanë që ndodheshin në stacionin e trenit i kanë pritur ata me duartrokitje dhe u kanë ofruar ëmbëlsira rreth 450 refugjatëve të parë, që mbërritën me një tren të posaçëm.

Më herët, mijëra emigrantë nga Siria dhe Iraku kaluan kufirin duke hyrë në Austri, pas vendimit surprizë të autoriteteve hungareze për t’i çuar me autobusë në kufi.

Për disa ditë me radhë, qeveria e Budapestit i kishte bllokuar refugjatët duke u ndaluar udhëtimin me tren, por ajo ndryshoi qëndrim pasi shumë prej tyre u nisën drejt kufirit në këmbë, bashkë me fëmijët në krahë.

Rreth 4 mijë refugjatë kanë mbërritur në Austri, shumica e të cilëve po lëvizin drejt Gjermanisë. Ndërkohë, një grup i dytë është nisur sërish në këmbë nga Budapesti drejt kufirit. Austria thotë se emigrantët mund të aplikojnë për azil atje, ose të vijojnë rrugën për në Gjermaninë fqinje.

Kjo lëvizje vjen pasi vendet e Bashkimit Evropian po përpiqen që të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën e përballjes me fluksin e azilkërkuesve, shumica e të cilëve janë të arratisur nga lufta në Siri.

Qeveria hungareze lehtësoi kufizimet e tranzitit pasi shumë prej emigrantëve tejkaluan kordonët e policisë. Gjatë natës, disa autobusë morën në bord emigrantët nga stacioni hekurudhor i Keletit, ku mijëra prej tyre ishin vendosur prej ditësh.

Gjithashtu, autoritetet dërguan edhe shumë automjete për t’u ardhur në ndihmë atyre që kishin vendosur që rrugën ta përshkonin në këmbë.

Ndërsa këtë të shtunë, zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs tha për BBC se nuk do të ketë më autobusë apo makina që do të shoqërojnë emigrantët në kufi me Austrinë. 

FOTO GALERI
1/8

Top Channel