El Chapo, superbosi i narkotrafikut “futet në grackë” nga i biri

05/09/2015 18:25

Korrikun e kaluar, lajmi për arratisjen spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë rreth 90 km në perëndim të Qytetit të Meksikës pushtoi faqet e para të gazetave të të gjithë botës.

Por arratija e El Chapo, siç njihet ndryshe bosi meksikan i drogës Joaquin Guzman, mund të mos zgjasë shumë. Kjo, pasi 31 gushtin e kaluar djali i tij, Jesus Alfredo Guzman Salazar postoi në Twitter një foto në të cilën narkotrafikanti shfaqet në një restorant.

Por djali 29-vjeçar harroi të çaktivizonte gjeolokalizuesin e profilit të tij dhe poshtë fotos u shfaq shkrimi “Kosta Rika”, shteti në të cilin është bërë dhe fotoja.

Pamjet, të publikuara edhe në të gjitha mediat meksikane, tregojnë të birin e El Chapo, i ulur në një tryezë në një restorant të hapur, së bashku me dy persona të tjerë, një prej të cilëve dyshohet se është bosi i kartelit të fuqishëm të drogës, Sinaloa.

Edhe pse fytyra e tij nuk shihet mirë, hetuesit, bazuar tek mustaqet e tij, janë të bindur se bëhet fjalë për Joaquin Guzman.

Për më tepër, poshtë fotos shfaqet një diçiturë e shkruar nga vetë djali i bosit e që duket si një lloj ftese për policinë meksikane: “Në gusht këtu, e dini se me kë jam”.

Top Channel