Tragjedia e Fukushimës, në Japoni rihapet qyteti Naraha

05/09/2015 18:45

Autoritetet në Japoni po u bëjnë thirrje banorëve që të kthehen në qytetin e evakuuar në vitin 2011, pas katastrofës në impiantin bërthamor të Fukushimës.

Naraha është qyteti i parë ku njerëzve u lejohet të kthehen në mënyrë të përhershme, pas shumë vitesh punë për dezinfektimin e ambjentit.

Por shumë prej tyre deklarojnë se nuk janë gati të kthehen dhe vetëm një fraksion i vogël janë kthyer përkohësisht, që kur nisi periudha e provës në muajin prill.

Impianti Daiçi në Fukushima pësoi dëme të mëdha si pasojë e tërmetit dhe tsunamit që pasoi marsin e 4 viteve më parë. Pas katastrofës, të gjithë banorët e Narahas, rreth 7.400, u shpërngulën.

Qyteti, që ndodhet rreth 20 km në jug të impiantit bërthamor, shihet si një provë për kthimin e banorëve të evakuuar. Ndërkohë, rreth 100 mijë persona nga të gjitha zonat përreth ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Autoritetet në Naraha po sigurojnë qytetarët përmes pajisjeve elektronike se niveli i radioaktivitetit ka rënë dhe se shërbimet lokale janë rikthyer në funksion.

Kryetari i bashkisë, Yukiei Matsumoto deklaroi se shfuqizimi i urdhërit të evakuimit përbën një fillim të mirë. “Ora që kishte ngecur, tani ka filluar të punojë sërish”, tha ai.

Ndërsa banorët e kthyer mbajtjën një vigjilje për të shënuar rilindjen e qytetit.

Top Channel