Antikanabis, asgjësohen 7724 rrënjë në mbarë vendin. Dy të arrestuar, një në kërkim

06/09/2015 08:25

Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur nga forcat blu të Policisë së Elbasanit gjatë ditës së shtunë, të cilët përveç asgjësimit të 537 rrënjëve kanabis, kanë arrestuar në flagrancë edhe shtetasin Andrea Gjini, 50 vjeç, banues në Belsh.

Si pasojë e intensifikimit të punës së specialistëve kundër narkotikëve në Komisariatin e Elbasanit, nga operacioni i kontrollit të territorit të kryer në zonat përreth Elbasanit, janë gjetur të kultivuara 537 rrënjë të dyshuara kanabis në tokën e tij në fshatin Marinëz, të cilat u asgjësuan me djegie, me përjashtim të një sasie të caktuar të marrë në cilësinë e provës materiale dhe për ekzaminime laboratorike.

Veç 50-vjeçarit Andrea Gjini, blutë e Elbasanit vijojnë punën edhe për kapjen e shtetasit A.K., 24 vjeç, banues po në Belsh, ndërkohë që materialet hetimore për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Shkodër, 3371 rrënjë të asgjësuara nga 19 parcela

Operacionet antihashash kanë vijuar edhe në Qarkun e Shkodrës, ku janë asgjësuar 3371 rrënjë bime narkotike në total, por të shpërndara në disa fshatra të Shkodrës dhe të Pukës. Lënda narkotike e dyshuar kanabis ishte kultivuar në 19 parcela.

Forcat blu të Shkodrës njoftojnë se parcelat janë evidentuar në fshatrat Benë, Sumë, Cukal, “Bjeshkët” e Prekalit, “Lohe e Sipërme” në Shkrel, në Malësinë e Madhe si dhe në fshatrat Sapaq e Iballë të Pukës. Ende nuk ka asnjë autor të dyshuar për kultivimin e kësaj sasie hashashi, por policia po punon për identifikimin e tyre dhe më pas kapjen.

Vlorë, asgjësohen 2284 rrënjë kanabis; një i arrestuar, një i shpallur në kërkim

Operacione antikanabis janë zhvilluar edhe në Vlorë, ku janë asgjësuar në total 2284 rrënjë bimë narkotike e zbuluar në disa fshatra, si dhe është arrestuar në flagrancë shtetasi Vladimir Ganaj, 57 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim i biri Marildo Ganaj, 20 vjeç.

Sipas komunikatës së Policisë së Vlorës lënda narkotike e llojit hashash është zbuluar në fshatrat Tërbaç, 925 rrënjë, si dhe Vezhdanisht, Treblovë dhe Kropisht me 1359 rrënjë.

Sasia e gjetur në Tërbaç ishte mbjellë në pronën e shtetasve të mësipërm, në vendin e quajtur “Hundat Gjoke”, ndërsa lënda e gjetur në 3 fshatrat e tjerë, e cila kishte arritur lartësinë 100-200 cm, ka mbetur ende pa autorë, për identifikimin dhe kapjen e të cilëve po punon policia.

Mallakastër, asgjësohen 1532 rrënjë kanabis

Aksionet antikanabis janë shtrirë edhe në Mallakastër, ku janë asgjësuar 1532 rrënjë kanabis në fshatin Rriban, në vendin e quajtur “Mulliri i Shkëmbit”, të mbjella në 3 parcela në një pyll me pisha.

Specialistë të krimeve në Komisariatin e Mallakastrës kanë nisur procedimin penal dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve, ndërkohë që materialet hetimore për veprën e “kultivimit të bimëve narkotike” i kanë kaluar edhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Top Channel