Shqipëri-Portugali, 1000 forca policore për të garantuar sigurinë

06/09/2015 11:40

Një ditë para zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur për kualifikueset e “Euro 2016”-s, Shqipëri-Portugali, Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka bërë të ditura masat organizative sa i përket sigurisë, rendit dhe qetësisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes me “luzitanët”, që do të luhet më 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato, u shpreh se për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje do të angazhohet rreth 1000 forca policore.

Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, kur bën të ditur bllokimin e disa akseve rrugore si dhe ndalimqarkullimin e mjeteve në shëtitoren nga stadiumi deri te “1 Maji”, nga Bashkia deri në dalje të Unazës, në sheshin përpara Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”, nga rrethrrotullimi i luleve deri te ai i Zaranikës, përpara stadiumit apo edhe bulevardi kryesor deri në stadium.

Sa u përket sportdashësve, hyrja e tyre në stadium do të nisë që 3 orë përpara ndeshjes në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, por edhe për shkak se këtë herë do të jetë një risi në pajisjen e tifozëve me bileta elektronike, të cilat i kanë prenotuar përmes sistemit online dhe jo nga shitja nëpër sportele. Për herë të parë në Shqipëri, në një ndeshje ndërkombëtare tifozët e futur në stadium do të jetë të identifikuar falë kësaj risie.

Në stadium nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë, ndërkohë që sportdashësve u kërkohet që të mos mbajnë me vete sende të forta, si shishe plastike apo fishekzjarre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të futen.

Gjithashtu, nga ora 12 e mesditës e deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të jenë të mbyllura.

Top Channel