Prishtinë, koncert kushtuar Nënë Terezës

06/09/2015 13:00

Koncerti i madh i mbajtur në nderim të humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, në Katedralen e Prishtinës që mban emrin e saj, është ndjekur nga shumë personalitete të jetës politike e institucionale të Kosovës, përfshi këtu Presidenten Atifete Jahjaga si dhe kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Në koncert ishin të pranishëm edhe të ftuar të tjerë nga fushat e artit, shkencës e kulturës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare por edhe diplomatë të huaj në Prishtinë, e nuk mund të mungonin drejtuesit e besimeve fetare.

Gjatë koncertit u performuan vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë, ndërkohë që aktorë të shquar recituan vargje kushtuar jetës dhe veprës së humanistes Nënë Tereza.

Në mbyllje të tij u interpretua nga Inva Mula himni kushtuar Nënë Terezës. Koncerti dhe krijimi i himnit për Nënë Terezën, pavarësisht përfshirjes së artistëve të shumtë të shquar nga të gjitha trojet shqiptare, ishin nismë e gazetares së njohur Dijana Toska.

Top Channel