Prokuroria kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Prengës. Rama: T’ia heqim urgjent imunitetin

06/09/2015 13:10

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar në Sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për autorizim nga ligjvënësit shqiptarë për arrestimin e shtetasit Armando Prenga, me funksion deputet, për shkak të konsumimit – siç dyshohet, – të veprave penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje”.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se, nga provat e administruara deri më tani gjatë fazës së hetimit, rezulton se deputeti Prenga dyshohet të ketë konsumuar veprat e mësipërme penale gjatë konfliktit të ndodhur me disa shtetas të tjerë, ngjarje e ndodhur mesnaten mes së premtes dhe së shtunës në qytetin e Laçit. Veprat, të cilat dyshohet t’i ketë kryer deputeti Prenga, janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe parashikohen si krime në Kodin Penal.

Duke argumentuar dyshimet e arsyeshme për kryerjen e këtyre veprave penale nga ana e deputetit Prenga, Prokuroria e Përgjithshme kërkon, me qëllim që t’i hapet rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga organi i hetimit, dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e tij, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pas këtij lajmi, kryeministri Edi Rama reagoi në Facebook, duke thënë se “duhet hequr urgjent imuniteti i deputetit që ka punë me drejtësinë”. Ndërkaq, sot pasdite në orën 19:30 pritet të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë.

Top Channel