E vërteta e Prengës: U vetëmbrojta. Keqardhje për kolegët e mi, u bënë pjesë e skenarit të PD-së

06/09/2015 16:15

Për herë të parë, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, deputeti i arrestuar, Armando Prenga, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, lidhur me plagosjen e ndodhur në orët e para të datës 5 shtator në Kurbin.

Sipas tij, më datë 4 shtator, në shoqërinë e 3 personave të tjerë, ai ka qenë duke udhëtuar me makinë kur papritur i është bllokuar rruga nga një automjet, prej të cilit ka dalë Gjok Cali, i cili mbante në dorë një thikë dhe ka kërcënuar Armando Prengën.

Sipas deklaratës së lexuar nga avokati Baftjar Rusi, në këto kushte, Armando Prenga deklaron se ka qëlluar në ajër në kushtet e vetëmbrojtjes, duke larguar Gjok Calin. Pas kësaj, deklaron Prenga, ka njoftuar në telefon vëllain e tij që të bënte denoncim lidhur me ngjarjen, ndërsa vet është drejtuar për në lokalin e Gjok Calit në Patok, ku nuk ka gjetur njeri.

Më tej, Prenga deklaron se është kthyer në lokalin në pronësi të tij që gjendet në qendër të Kurbinit dhe pas disa minutash ka dëgjuar për një përleshje përpara komisariatit të policisë. Pasi ka shkuar atje, ka parë vëllain e tij të shtrirë në tokë të gjakosur, së bashku me Gazmir Jushin dhe njerëz që vraponin të largoheshin. Në këto kushte, deklaron Prenga, ka transportuar vëllain e tij për në spitalin e Kurbinit e më pas për në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Në deklaratën e tij, Armando Prenga deklaron se ai ka qëlluar vetëm njëherë me armë në ajër në momentin e bllokimit të rrugës dhe se arma e tij, të cilën e disponon me leje, nuk është përdorur në asnjë moment tjetër.

E në fund, Prenga ka dhe një mesazh për kolegët e tij deputetë të Partisë Socialiste.

“Ndjej keqardhje për kolegët e mi të Partisë Socialiste që i lejuan vetes të nxitonin dhe i bëj thirrje të respektojnë të drejtat e njeriut nëse nuk duan të respektojnë Armando Prengën sepse kjo që po ndodh me mua dhe me familjen time është shkelje flagrante e të drejtave më elementare dhe universale të njeriut. Jam sulmuar, gjakosur dhe po mbahem i akuzuar se jam vetëmbrojtur. Askush nuk do të lajë ndërgjegjen duke bërë Armando Prengën “kokë turku”. Është detyrim e Prokurorisë dhe organeve të hetimit t’i referohen vetëm ligjit pa i shërbyer asnjë skenari, apo presioni të një PD-je që ka për strategji të dobësojë mazhorancën “, thuhet në deklaratën e lexuar nga avokati Baftjar Rusi.

Që prej orëve të para të së shtunës, Armando Prenga mbahet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Top Channel