Nga panairi tradicional i Selanikut, ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras ka theksuar se Syriza, partia që ai drejton, është e vetmja forcë që garanton përmirësimin e marrëveshjes së ndihmës për Greqinë.

Duke përmendur betejën e ashpër që qeveria e tij bëri për të sjellë një memorandum ndihme sa më të pranueshëm për popullin grek që u gjunjëzua nga kriza në pesë vitet e fundit, por edhe nga masat e ashpra të kursimit. Tsipras dy javë para zgjedhjeve të parakohshme ka deklaruar se lehtësimi i borxhit kolosal të Greqisë është pika e parë në axhendën e tij, nëse ai fiton përsëri në 20 shtator.

“Beteja jonë e parë dhe kryesore, ajo që ne kemi diskutuar në katër-pesë vitet e fundit, është beteja për ristrukturimin e nevojshëm, reduktimin e domosdoshëm të borxhit të Greqisë, i cili është edhe kryqi i madh që ne e mbajmë mbi vete. Pikërisht ky borxh që disa na thanë se ishte i qëndrueshëm, ndërkohë që ne jo vetëm që kemi arritur të bisedojmë me sukses për reduktimin e tij, por edhe për kohën se kur duhet ta kryejmë”, tha Tsipras.

Ish-kryeministri grek i është përgjigjur edhe akuzave të kundërshtarëve të tij politikë që e akuzojnë se të tjera premtoi në zgjedhjet e janarit të kaluar dhe të tjera bëri pas ardhjes së tij në pushtet, kur mbyllja e bankave, presioni i kreditorëve dhe rreziku i daljes nga euro e bënë të nënshkruante një marrëveshje të tretë për Greqinë.

“Duam progres ekonomik, por jo të mbështetur tek rrënimi i shoqërisë, nëse votojmë përsëri konservatorët do të riktheheshim përsëri pas në katastrofën ekonomike të pesë viteve të fundit ka”, ka thënë ai.

Megjithëse sondazhet e ditëve të fundit tregojnë një rënie të mbështetësve të partisë së tij dhe një rivalitet të fortë me konservatorët, Tsipras ka minimizuar frikën dhe është shprehur optimist për fitoren.

“Jam i bindur se populli grek ka gjykim dhe shije të shëndoshë dhe nuk do të lejojë që kjo luftë e ndershme dhe e guximshme të jetë vetëm një parantezë e shkurtër në skenën politike të vendit tonë, nuk do të jetë një parantezë, beteja dhe ankthi i popullit grek për drejtësi dhe për një të nesërme më të mirë”, deklaroi Tsipras.
 
Pikat kryesore të programit që ka shpallur Tsipras në rast se ai fiton përsëri në zgjedhjet e 20 shtatorit janë rikthimi i menjëhershëm i likuiditetit bankar dhe modernizimi i kuadrit institucional për investime, forcimi dhe riorientimi i ekonomisë rurale, zbatimi i një plani për zhvillimin dhe ristrukturimin e ekonomisë sociale, transformimi organizativ i shtetit, ristrukturimi i administratës publike dhe lufta kundër evazionit fiskal e korrupsionit.

Top Channel