Itali, kapet avioni me drogë në Torino; Tahiri: Nuk ishte nisur nga Shqipëria

07/09/2015 00:00

Përdornin një avion të vogël për të shmangur kontrollet kufitare dhe për të trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Policia italiane në qytetin e Torinos ka goditur një grup të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte duke përdorur aeroportin turistik të Gatinarës, në veri të vendit fqinj, raporton agjencia e lajmeve ANSA.

Uniformat blu, sipas raportimeve të mediave italiane, kanë arrestuar katër persona dhe kanë sekuestruar 80 kg lëndë narkotike dhe natyrisht avionin me të cilën ajo transportohej.

Sipas burimeve, nga hetimet e kryera ka rezultuar se grupi transportonte sasi të konsiderueshme droge. Avioni ishte modifikuar nga brenda me heqjen e sediljes së pasagjerit në radhën e dytë.

Autoritetet policore torineze, të cilat në këtë operacion u koordinuan nga Drejtoria Rajonale e Antimafias, saktësojnë se personat e arrestuar janë dy shtetas italianë dhe dy shqiptarë, përkatësisht Pasquale D’Ambrosio dhe Rosario Campisi, 58 dhe 60 vjeç; si dhe Maksim Llanaj e Fitor Alliaj, 37 dhe 43 vjeç.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke folur në Parlament lidhur me ngjarjen në fjalë ka deklaruar se avioni ka përshkuar linja të brendshme të territorit italian, Torino-Leçe dhe se nuk ishte nisur nga Shqipëria.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel