Informaliteti, Ahmetaj: Ashpërsimi i gjobave është masë parandaluese

07/09/2015 11:20

Ashpërsimi i gjobave është masë parandaluese për t’i treguar sipërmarrjes që operacioni kundër informalitetit është një betejë serioze. Kështu është shprehur ministri i MZHETS-së, Arben Ahemtaj, gjatë takimit me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Referuar debatit për gjobat, ministri tha se ajo është alternativë e moszbatimit vullnetar të ligjit.

“Është pikërisht e kundërta e asaj që ne kërkojmë nga terreni fiskal. Ashpërsojmë gjobat që të mos ketë shkelje, por jo të vendosim më shumë gjoba. Jemi duke marr masa prandaluese për t’i treguar sipërmarrjes që është betejë shumë serioze. Gjobat nuk janë si një alternativë e dëshiruar nga ana e administratës, po janë aty për t’i kujtuar të gjithëve që alternativa e moszbatimit vullnetar të ligjit është ashpërsimi i gjobave dhe penaliteteve”, tha ministri Ahmetaj.

Ministri kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrjes në këtë operacion. Lufta ndaj informaliteti, tha ai, është luftë kundër varfërisë dhe pabarazisë.

“Mungesa e shumave të konsiderueshme në Buxhetin e Shtetit sjell një vend më të vafër, dhe një vend më i varfër ka qytetar më të varfër. Kush nuk e merr kuponin financon varfërinë, sepse ka më pak spitale, shkolla, rrugë publike, shërbime e punë publike”, tha z. Ahmetaj.

Kjo vijoi ministri nuk është betejë mes administratës dhe sipërmarrjes, por një betejë e përbashkët kundër atyre që kanë cënuar këtë rend qytetërimi.

Top Channel