Kuvend, votohet heqja e imunitetit të deputetit Prenga

07/09/2015 00:00

Parlamenti votoi heqjen e imunitetit për deputetin Armand Prenga. Ishte një votim që rezulutoi pa asnjë votë kundër, pas sqarimit të deputetit çam Omer Mamo se kishte votuar gabimisht.

Por as vota në bllok “pro” e mazhorancës për autorizimin e prokurorisë për të vijuar hetimet nën arrest të deputetit Prenga nuk ka lënë të kënaqur ish-kryeministrin Berisha, që u spikat sërish edhe në këtë seancë të parë të sesionit të ri parlamentar si më aktivi në radhët e opozitës.

“Deputeti është i pranishëm, ai qëndron në karriken kryesore të qeverisë dhe quhet Edvin Rama. Është ky zotëri që ka futur në këtë Parlament kriminelë, duke e kthyer nga tempull demokracie në tempull krimi. Çfarë ka më pak udhëheqësi i kanabisit, që zhyti Shqipërinë në kanabis duke bërë propagandë që ta legalizojmë sivëllau i tij Koço Kokëdhima? Çfarë ka më pak ai që i nis avionët bashkë me Mrikën dhe e kanë kthyer Shqipërinë në Kolumbi? Cfarë keni më pak se Paulin Sterkaj që godet me qytën e pistoletës”, tha Berisha.

“Unë jam baba me fëmijë, kurrë në jetën time s’kam qenë i inkriminuar, kurrë s’kam pasur lidhje me krimin dhe gjithmonë e kam goditur krimin. Ky është një manipuluesi më i madh opinionit publik në Shqipëri dhe fajtorë jeni ju që nuk e keni vënë përballë përgjegjësisë për konçesionet që i ka vjedhur popullit shqiptar, për naftën, bakrin, kromin dhe me paturpësinë më të madhe ai akuzon se ke goditur me pistoletë. Ky njeri i ka fëmijët e tij të inkriminuar deri në fyt dhe unë ia di të tëra, me vepra, prona e grabitje që i kanë marrë. Duhet të dalë para drejtësisë ky dhe familja e vetë”, reagoi Sterkaj. 

Top Channel