Meta hedh poshtë akuzat për korrupsion: S’jam përfshirë në asnjë aferë

07/09/2015 12:10

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar këtë të hënë lidhur me akuzat për korrupsion me kompaninë CEZ, të ngritura nga opozita pas publikimit të lajmeve në agjencinë “BIRN”.

“Së pari, i bëj të qartë opozitës se do të vazhdoj ta respektoj kërkesën e tyre për dorëheqjen time dhe do të kenë kohë edhe dy vjet për të kërkuar dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Meta. kreu i LSI ka paraqitur para deputetëve një “Engagement Letter” dhe “Fee Agreement” midis “Clifford Chance”, që është kontraktuar nga CEZ-i dhe CEZ Shpërndarja, e firmosur më 1 korrik 2013. “Pra, kohë kur kryeministër ishte i nderuari, deputeti z. Sali Berisha. Është firmosur në Mynih më 1 korrik nga Tim Schreiber për “Clifford Chance” dhe nga zoti Sait Dollapi për CEZ-in”, ka sqaruar Meta.

Në rast se deputetët e opozitës nuk e kujtojnë këtë kompani, ka vijuar Meta, mund të pyesin ish-ministrin e Financave, “sepse kjo kompani ka qenë kliente e kësaj qeverie edhe për shumë kontrata të tjera me Ministrinë e Financave dhe kjo është një çështje e tyre”.
“Njëkohësisht dua t’ju informoj se, kompania në fjalë ka bërë një sqarim në dijeninë time, që në asnjë rast nuk përmendet apo nënkuptohet emri i z. Ilir Meta dhe pretendimet e ngritura nga një gazetare janë të pasakta. E përjashtoj në mënyrë kategorike që një person i implikuar të jetë ish-kryeministri Ilir Meta dhe këtë ua them me bindje të plotë”, ka thënë Meta.

Njëkohësisht, ka vijuar kreu i Kuvendit, dua t’ju them se të gjithë e dinë se kush e ka emëruar ERE-n, kush e kontrollonte ERE-n dhe nëse ka dokumente të cilat provojnë se ministra të asaj kohe apo dhe më pas kanë kërkuar që të favorizohet CEZ-i në dëm të KESH-it.

“Ju siguroj se përsëri nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë Ilir Meta. Megjithatë ju keni të drejtën tuaj”, ka shtuar Meta. 

FOTO GALERI
1/2
Meta hedh poshtë akuzat për korrupsion: S’jam përfshirë në asnjë aferë

Top Channel