Arrestimi i deputetit Prenga, të martën masa e sigurisë

07/09/2015 12:45

Pas dhënies së autorizimit nga Kuvendi, i cili miratoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste Armando Prenga, ky i fundit pritet të dalë ditën e martë përpara Gjykatës së Lartë.

Ky organ do të vlerësojë arrestimin në kushtet e flagrancës dhe kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për caktimin e masës së sigurisë.

Burime pranë organit qëndror të akuzës, bënë me dije se dita e martë është edhe afati i fundit që Gjykata e Lartë të vlerësojë të ligjshme ose jo arrestimin e deputetit Prenga dhe nëse po, të caktojë masë sigurisë.

Ndërkohë është caktuar edhe trupa gjyqësore që do të japë masën e sigurisë, që përbëhet nga Artan Broci, Mirela Fana, Edmond Islamaj, Tom Ndreca dhe Artan Zeneli.

Organi i akuzës nga ana e tij nisur edhe nga tre akuzat e ngritura ndaj deputetit Armando Prenga, plagosje e rëndë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, pritet t’i kërkojë Gjykatës së Lartë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Top Channel