Gjermani, ndihmë prej 6 mld eurosh landeve për situatën e refugjatëve

07/09/2015 13:00

Koalicioni qeverisës në Gjermani pranoi shpenzimin e 6 miliardë eurove për mbështetjen e një numri rekord të emigrantëve, shifër kjo që sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, deri në fund të vitit mund të shkojë diku te 9 apo 10 miliardë eurot.

Përllogaritjet bazohen në vlerësimet e kostove nga qeveritë e landeve në mbarë vendin. Në seancën e posaçme, të mbajtur nga Parlamenti gjerman në muajin korrik, u parashikua një buxhet prej 5.6 miliardë eurosh për rreth 450 mijë kërkesa për azil, që mendohej se do të paraqiteshin këtë vit.

Por, në dritën e fluksit më të fundit masiv të refugjatëve, Gjermania pret tashmë që, deri në fund të dhjetorit, të vërshojnë rreth 800 mijë vetë. 18 mijë kaluan kufirin vetëm gjatë kësaj fundjave. Numri i emigrantëve të mbërritur në Bavari të dielën, fillimisht u llogarit në 5000, por në fund rezultoi dy herë më i lartë se kaq. Pjesa më e madhe, udhëtimin nga Hungaria e bënë me trena apo autobusë, ndërsa pati dhe nga ata, që rrugën deri në Austri e përshkuan në këmbë.

Mynihu priti një ditë më parë me mijëra vetë. Një pjese iu dhanë shtretër, për të kaluar natën në ato që njihen si qendra fillestare të pritjes. Të tjerë e vazhduan rrugëtimin, që çoi 570 prej tyre në Saafeld të Turingisë, ndërsa mbi 350 vetë në kryeqendrën e Saksonisë, Drezden.

Dhjetëra azilkërkues u dërguan në Berlin, Hamburg, Frankfurt dhe Dortmund. Pritja emocionuese që iu bë emigrantëve në Mynih pati jehonë në mbarë vendin. Zbritja nga treni u shoqërua me duartrokitje e brohorima, e vendasit – të mbledhur në platforma – u dhuronin ushqime, pije të ngrohta e lodra për fëmijët.

Vërshimi i refugjatëve drejt Gjermanisë, pas bllokimit dyditor në Budapest, erdhi si pasojë e marrëveshjes së arritur mes Austrisë dhe Gjermanisë për lehtësimin e rregullave të azilit. Por, pas bisedimeve që zhvilloi të dielën me Angela Merkelin dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, Kancelari austriak Werner Faymann u shpreh se, masave të emergjencës tanimë duhet t’u vijë fundi e se, dalëngadalë duhet lëvizur drejt normalitetit.

Vendimi i Kancelares Angela Merkel për të lejuar fluksin e refugjatëve të hyjë në Gjermani shkaktoi një krisje në bllokun e saj konservator, pasi aleatët bavarezë e akuzuan se po i dërgon “një sinjal të gabuar” pjesës tjetër të Europës. Ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, anëtar i unionit kristiansocial CSU, e drejtoi gishtin nga shefja e ekzekutivit, për të cilën tha se e kishte hedhur këtë hap pa u konsultuar më parë me qeveritë e landeve, që do të përballen me pasojat e vendimit të saj.

Top Channel