Fotot e Aylan sensibilizojnë Europën, solidaritet pas një tragjedie

07/09/2015 13:05

Një fjalë të mirë, një gjest, një dhurim, njerëz që dalin vullnetarë të shoqërojnë emigrantët në rrugëtimin mes shteteve – përballë dramës së atyre që i largohen vuajtjeve në Lindjen e Mesme e Afrikë, janë gjithmonë e më të shumtë ata që lënë pas indiferencën.

Europa po rizbulon vlerën e fjalës “solidaritet” me veprime konkrete, të prekshme e kjo, i detyrohet në një farë mase fotove të trupit të pajetë të Aylan Kurdit, i shtrirë në breg të detit sikur të ishte ende në gjumë.
Por trevjecari, jeta e të cilit u këput pa nisur mirë, nuk është i vetmi fëmijë- viktimë e krizës së refugjatëve. Imazhi i tij në atë breg të Bodrumit, i shpërndarë pafund në mediat sociale e i publikuar në gazetat anëembanë globit, nxiti debate e preku zemrat e njerëzve në të gjithë botën. Megjithatë, përpara tij ka pasur dhe të tjerë. Në muajin gusht, trupat e pajetë të 5 fëmijëve u gjetën në ujërat e Libisë; anija me 450 persona në bord me të cilën të miturit udhëtonin, nuk kishte shumë që ishte fundosur jo dhe aq larg bregut.

Fotot e shkrepura në ate rast tregonin një vogelushe të pajetë që dergjej në rërë, me pantallonat ngjyrë rozë e bluzën me lule. Në krah të saj, trupi i një djali të vogël me pelenë të bardhë; diku më tej, një djalë pak më i rritur me bluze blu e pantallona të shkurtra të zeza. Gjysmëhëna e kuqe libjane raporton rregullisht për trupa të pajetë që dallgët i nxjerrin në brigjet e këtij vendi. Më shumë se 300,000 refugjate janë përpjekur të mbërrijnë Europen këtë vit duke kaluar përmes Mesdheut.

Por ashtu si Aylan-i, shumë prej tyre nuk ia kanë dalë mbanë: mbi 2.500 vetë llogaritet të kenë gjetur vdekjen apo të jenë zhdukur gjatë udhëtimit të rrezikshëm.

Top Channel