Kosovë, shqyrtohet draft-strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

07/09/2015 13:35

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka zhvilluar këtë të hënë mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Siç njoftohet në një komunikatë për shtyp, gjatë takimit, u shqyrtua draft-strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Kryeministri Mustafa vlerësoi faktin se draft-strategjia që po hartohet është mjaft gjithëpërfshirëse dhe se ajo përbën një nga instrumentet përmes të cilës do të adresohen angazhimet e Kosovës në këtë drejtim.

Duke theksuar se ekstremizmi i dhunshëm përbën sfidë për të gjitha vendet e botës demokratike, kryeministri Mustafa shprehu vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë aktive e angazhimeve të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër këtyre dukurive.

Draft-Strategjia mori përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe ajo pritet të aprovohet në një prej takimeve të radhës të Qeverisë së Kosovës.

Top Channel