Hollande: Përgatitje për sulme ajrore ndaj militantëve të ISIS

07/09/2015 13:35

Francois Hollande urdhëroi përgatitjet për fillimin e sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Nga sa pohoi vetë shefi i Elizesë, Franca do t’i nisë të martën fluturimit e zbulimit, që do të pasohen nga sulme kundër grupit të dhunshëm ekstremist.

Por ashtu si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë përpara tij, Hollande e përjashtoi mundësinë e dislokimit të trupave tokësore.

“Përgjegjësia ime është të sigurohem që të kemi të gjithë informacionin e mundshëm mbi kërcënimet që i kanosen vendit tonë. Për këtë arsye, i kërkova ministrit të Mbrojtjes të nisë duke filluar nga nesër fluturimet e zbulimit mbi Siri, të cilat do të na lejojnë organizimin e sulmeve ajrore kundër ISIS-it”, tha Hollande.

Mbi 220.000 vetë janë vrarë sipas OKB-së në Siri që prej fillimit të luftës katër vjet më parë, ndërsa të shpërngulurit llogariten më shumë se 9 milionë. Hollande u shpreh se nga brenda Sirisë po përgatiten sulme terroriste kundër disa vendeve të ndryshme, përfshirë këtu dhe Francën. Nëse amerikanët e kanë nisur me kohë goditjen e militantëve të Shtetit Islamik nga ajri, Parisi zyrtar deri më tani kishte ngurruar ta hidhte këtë hap. E përditshmja “Le Monde” megjithatë e bëri të qartë që në fundjavë se ekzekutivi po e shqyrtonte një mundësi të tillë, duke shtuar fluksi i madh i sirianëve që i drejtohen Europës e bën sot me urgjente se kurrë nevojën për neutralizimin e luftëtarëve të ISIS-it.

Top Channel