Kuvend, debate të ashpra për trafikun e drogës

07/09/2015 00:00

Ministri Saimir Tahiri ishte shënjestra e opozitës këtë sëancë, pas deklarimeve të ish agjentit të antidrogës Dritan Zagani dhe lajmit që parapriu fillimin e Kuvendit, për dyshimet se një tjetër avion i kapur me drogë në Itali vinte nga Shqipëria. Ministri Tahiri i ka sqaruar këto dy momente, gjatë fjalimit në podium që ka tensionuar seancën, e cila u ndërpre disa herë.

“Sqarova se qeveria e kaluar, ky që bërtetë këtu (Flamur Noka), këtij oficerit të kërkuar, të arratisur, të arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike, dhe bashkëpunim me trafikantët i kanë dhuruar tokë në Orikum dhe shpresoj t’i kenë mësuar dhe notin. Thatë që një avion tjetër është nisur nga Shqipëria dhe ka përfunduar në Itali me lëndë narkotike. unë kam raportin e kuesturës dhe policisë italiane. Sipas këtij raporti zyrtar, avioni është nisur nga Torino për në Leçe. Në rastin më të keq me standardin tuaj ministri i Brendshëm italian është i përfshirë në trafik droge, bashkë me ministrin e Brendshëm italian. çpunë ka këtu policia shqiptare, ministri i Brendshëm shqiptar e kështu me radhë? Unë nuk kam ndërmend të harxhoj një sekondë të vetme të merrem me tollovinë publike që kërkoni ju, dhe nuk do konsumoj një sekondë të vetme pa bërë detyrën për të luftuar krimin dhëmbë për dhëmbë. Nëse ndonjë prej jush i del përpara policisë do të mbajë përgjegjësi ligjore”, tha ministri Saimir Tahiri.

“Avioni a ishte i kushërinjve të tij? A mund të jetë vend normal ky ku ndodhin gjithë këto gjëra, dhe ministri nuk ulet ta shkarkojë, e ta çojë para drejtësisë. Arrestoni njerëz që nuk kanë bukë të hanë që nuk paguajnë 20 mijë lekë të vjetra drita. Ju kemi paralajmëruar se ky njeri po t’i bëni një prerje të profilit të tij psikologjik dhe psiqik, del me probleme të rënda dhe mos e bëni ministër. Këtu kam qënë kur e kam thënë në seancën e parë. Mos e bëni ministër ju kam thënë se ky është i tillë. Ju kam thënë mos e bëni ministër se ky ka qënë hajdut kasetofonash, ka qënë përdorues hashashi dhe i skeduar në Policinë e Shtetit. Ju kemi thënë mos e bëni, se është i kapur peng nga krimi dhe ju e bëtë. Dhe ja ku është produkti sot, “, tha Flamur Noka, deputet i PD-së.

Avioni i kapur në Itali, përqëndroi sulmin e opozitës te Saimir Tahiri, duke shfokusuar kërkesën e saj për dorëheqje të Ilir Metes, kërkesë që u artikulua vetëm nga ish- kryeministri.

Top Channel