Arben Ndoka dorëzon mandatin e deputetit

07/09/2015 14:45

Ligjvënësi socialist i Qarkut Lezhë, Arben Ndoka, në mënyrë të papritur ka lënë mandatin e deputetit. Për këtë veprim ai i ka dërguar një letër Grupit Parlamentar dhe votuesve socialistë.

Fillimisht ai jep shpjegime të detajuara mbi ngjarjet e ndodhura në Itali në vitin 1991, kur ai ishte 16 vjeç. Akuzat e drejësisë italiane ai i quan një kurth të ngritur prej një polici italian, i cili u lidh me ish të fejuarën e të vëllait.
 
“E vërteta ime mua nuk më vlen, unë jam një njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë“, shkruan Ndoka. Duke iu drejtuar kolegëve socialistë, Ndoka shkruan se “unë ju kam borxh ju në radhë të parë, por edhe gjithë atyre që janë me këtë parti, ndjekjen deri në fund të betejës ligjore në Itali apo në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut po qe nevoja për të gjetur drejtësi për emrin tim“.

“Lus Zotin të më ndihmojë që t’ia dal, t’ju sjellë si provë të vërtetësisë së kësaj letre, vendimin e një gjykate të po atij vendi ku jeta ime u nxi sa nuk thuhet. Sepse e di që një vendim gjykate këtu në Shqipëri nuk do ta besonte askush!”, lexohet në letrën e Ndokës.

Në fund të letrës, Ndoka njofton lënien e mandatit kur thotë: “Do të mbetem nga larg sallës së Parlamentit një mbështetës besnik i përpjekjeve që ju bëni në atë sallë me disa kriminelë të vërtetë të këtij vendi dhe ma bëni hallall çdo siklet që kaluat për hatrin tim në këto dy vjet betejash për të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku zhyten kriminelët e vërtetë”.

Letra e plotë e Arben Ndokës:

E ndjej për detyrë ndaj jush t’ju jap një shpjegim që dua ta bëj edhe publik. Unë jam një njeri që jeta nuk më ka ardhur asnjëherë e lehtë. Ajo ka nisur në Skuraj, një fshat i Kurbinit, ku bëra katër vitet e para të shkollës. Isha nxënësi më i mirë në shkollë dhe fotografia ime ishte në tabelën e të dalluarve. Por, si fèmijë i një familjeje kulakësh në fund të vitit nuk më jepnin fletë-lavdërimi. Ishim të varfër po asgjë nuk më bënte përshtypje më shumë se sa ky diskriminim. Pastaj zbritëm në Lezhë, ku bashkë me prindërit dhe vëllezërit ndërtuam një shtëpi të vogël me gurë. Në Lezhë nuk isha më i dalluar në mësime sikur në Skuraj sepse u dhashë krejt mbas sportit.

Më 6 mars të vitit ’91 plasi eksodi dhe unë ika me anije nga Shëngjini për në Itali. Isha 16 vjeç e gjysmë. Pas 23 orë udhëtim mbërritëm në Itali. Qëndrimi im atje zgjati vetëm 6 muaj dhe bashkë me rreth 50 minorenë na rikthyen nëpër shtëpia. Në vitin 1993 iku vëllai. Pak me vonë e mora prapë rrugën me Skaf dhe u bashkova me tim vëlla që punonte në një fabrikë hekuri. Pas pak kohësh që ishim bashkë vëllai u rikthye në Shqipëri, ndërsa unë vazhdova të rri atje. Një ditë vëllai vjen prapë në Itali dhe i telefonon një djali nga Lezha, i cili kishte makinë.l thotë që të shkonte ta merrte në Leçe, sepse kishte djegur këmbën gjatë udhëtimit me Skaf dhe as në këmbë nuk rrinte dot. Erdhi tek unë me një vajzë me të cilën kishte një lidhje.Ata qëndruan tek shtëpia, ku unë jetoja përafërsisht një javë dhe pastaj shkuan në Romë tek një shok i vëllait. Nga ai moment humba dhe kontaktet me ta. Në atë kohë s’kishte telefona si sot dhe ne shqiptarët mblidheshim në një klub të dielave për t’i telefonuar familjeve.
Më vonë mësova që vajza ishte lidhur me një punonjës policie. Ai mbi bazën e një denoncimi të saj kishte sajuar një kontroll në shtëpinë e vëllait dhe në procesverbalin e kontrollit ishte shkruar që në shtëpinë e tij u gjeten 1000 dollarë fallco dhe një peshore droge. Në fakt ishte e sajuar kjo gjë. Nga lidhja e vajzës me policin që u nda edhe nga gruaja për të bashkëjetuar me të, taksirati ynë s’pati fund. Më ndalojnë edhe mua sepse sipas policisë duhet të jepja sqarime pse i kisha mbajtur ata të dy një javë në shtëpi. Kur doli vëllai në gjyq gjykatësi kërkoi provat materiale që në fakt nuk dolën askund, as peshore droge as dollarë fallso. Akuzat mbetën pezull dhe im vëlla doli në hetim të lirë. Kohë më vonë, krejt rastësisht, bashkë me një shokun e tij i cili sot punon në Kolsh të Lezhës, vëllai ndeshet në rrugë me policin italian dhe me këtë vajzën.

Që të dy (vëllai dhe shoku i tij) i kërkojnë vajzës që të bisedojnë. lm vëlla ishte shumë i dashuruar me vajzën dhe ajo ditë mbyllet me sherr me italianin. Por vajza e kishte bërë zgjedhjen e vet me policin italian; ai sherr ka nxitur sulmin fatal mbi tim vëlla që solli pasojën fatale për mua. Çfarë e ka sajuar polici, vajza e ka firmosur dhe çështja ka shkuar e rënduar sa s’ka në kanalet gjyqësore.Nga e gjithë kjo histori që u mundova ta përmbledh sa më qartë, mua më kanë mbetur peshqesh në mungesë dhe në padijeni totale, 3 vjet e 6 muaj për favorizim prostitucioni (për faktin që ata të dy kanë qëndruar në shtëpinë time një javë, e Cila për të mos krijuar keqkuptime sqaroj se ishte e një djali që punonte me mua në furrë buke me të cilin ndanim qiranë) dhe 4 Vite për rrëmbim personi.

E di edhe vetë se çfarë filmi i pabesueshëm për jetën reale mund t’ju duket kjo që po tregoj. PO kjo është thjesht e vërteta dhe vetëm e vërteta ime që betohem në jetën e të dyja vajzave të mia, s’kam pasur as gisht në ndonjë favorizim prostitucioni apo rrëmbim personi, as dijeni për një gjyq të tërë të bërë pa praninë time. Kaq e vërtetë është kjo sa mjafton të pyeten familjarët e vajzës, me të cilët ruaj sot e gjithë ditën një marrëdhënie familjare.Unë pas 7 muaj qëndrim gjithsej atë kohë në Itali kam marrë kursimet epunës dhe kam blerë një makinë me të cilën jam kthyer në Shqipëri. Kam vazhduar shkollën e mesme në Lezhë pasi e kisha lënë në vit te parë kur ika në ’91 -shin në Itali e s’isha marrë më. Bëra dy shkolla të mesme, gjimnazin dhe një agronomi me korrespondencë. Isha i fejuar dhe pas dy vitesh u martova.E kam filluar punën në Shqipëri si menaxher i një biznesi të vogël dhe më vonë kam filluar punë në Gardën e Republikës. Pastaj më morën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore.
Në kurthin e ngritur nga italiani për tim vëlla, i cili theksoj nuk u dënua asnjëherë, unë rashë befasisht shumë më vonë. Gjithçka ndodhi kur me disa miq vendosëm të ikim në Itali për të festuar ditëlindjen e Ramadan Hasanajt, ish-deputet i Partisë Socialiste. Unë dhe djali i tij që jetonte në Padova, jemi shokë që të vegjël dhe kjo më shtyu më shumë për të shkuar. Sqaroj se në Itali kisha shkuar shpesh dhe krejt normalisht. Qëndruam 7 ditë me shokun tim dhe në kthim, në momentin e kalimit doganor në aeroportin e Milanos, emri im del në kompjuter si person me precedent! Polici qesh dhe thotë: “Prit pak ta verifikojmë se nuk besoj të jesh ti!” (me siguri ka pasur parasysh faktin se një shqiptar i dënuar me akuzat e mia, nuk mund të jetë aq budalla sa të kalojë serbes në aeroport ku çdo pasaportë verifikohet në kompjuter).Unë pa diskutim mendova se ishte një ngatërresë që do zgjidhej, po pritja ime zgjati tre ditë në aeroport.Pas tre ditësh më komunikojnë 7 vjet e 6 muaj dënim gjithsej! Dy dënime të bëra bashkë! Vdekja do kishte qenë shumë më e lehtë! Nusja e vajza që i kisha në Tiranë u kthyen menjëherë tek baba në Lezhë. Bëra transferimin e dosjes me idenë që do të mbaroja shpejt, por ajo zgjati gati tre vjet. E kotë t’ju lodh me përshkrimin e ferrit shpirtëror brenda mureve të një burgu, ku me kishte ndërprerë jetën një padrejtësi ekstreme. Mbijetova me stërvitje të fortë fizike dhe libra që lexova sa në gjithë jetën time bashkë.

Kur dola i lirë nuk kisha lekë të jetoja.Askush në botë nuk e kuptonte hallin që më hante gjallë nga brenda. Doja të vazhdoja shkollën e lartë me çdo kusht, të cilën më pas e mbarova me shumë sakrifica. Nisa me biznes të vogël derisa krijova një rrjet modest lokalesh, ku luhej bilardo, me fitimet e të cilave erdha më vonë në Tiranë, ku hapëm firmën e duraluminit që më krijoi punë në të gjithë vendin. Kam punuar edhe si drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit dhe më pas si drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik në INUK.
Kjo është jeta ime reale. Më falni shumë për gjithë këto rreshta, po sidomos për sikletet që ju kanë ardhur nga unë. Ju rrëfeva jetën time ashtu si munda, sepse nuk dua që të iki, duke ju lënë të mendoni se unë jam ai krimineli që ka merituar atë dënimin e rëndë. E vërteta ime mua nuk më vlen, unë jam një njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë. Kam shumë shpresë që t’ju vlejë juve për të mos u ndjerë keq që më keni pranuar mes jush dhe nuk më keni lënë të ndjehem i vetmuar, kur më kanë sulmuar egërsisht. Por, ju të gjithë miq deputetë, qeveriajonë dhe Partia Socialiste nuk keni pse të viheni në siklet asnjë ditë më shumë nga prania ime.

Unë ju kam borxh ju në radhë të parë, po dhe giithë atyre që janë me këtë parti, ndjekjen deri në fund të betejës ligjore në Itali apo në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut po qe nevoja për të gjetur drejtësi për emrin tim. Lus Zotin të më ndihmojë qe t’ia dal t’ju sjell si provë të vërtetësisë së kësaj letre, vendimin e një gjykate të po atij vendi kujeta ime u nxi sa nuk thuhet. Sepse e di qe një vendim gjykate këtu në Shqipëri nuk do ta besonte askush! Do të mbetem nga larg sallës së parlamentit një mbështetës besnik i përpjekjeve që ju bëni në atë sallë me disa kriminelë të vërtetë të këtij vendi dhe ma bëni hallall çdo siklet që kaluat për hatërin tim në këto dy vjet betejash për të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku zhyten kriminelët e vërtetë!

Top Channel