Merkel: Fluksi i refugjatëve do ta ndryshojë Gjermaninë

07/09/2015 15:20

Një fluks i tillë emigrantësh nuk mund të mos lërë gjurmë në Gjermani. Vetë Angela Merkel e pranoi se ky vërshim njerëzish, që të lë pa frymë, do ta pushtojë e ndryshojë vendin përgjatë viteve në vazhdim.

Gjermania nuk e zgjidh dot krizën e vetme – u shpreh Kancelarja, – që u detyrua të përsërisë edhe një herë apelin, që të gjitha vendet anëtare të bllokut të bëjnë pjesën e tyre, duke pranuar refugjatë.

“Gjermania është një vend i gatshëm të pranojë azilkërkues, e kjo besoj është parë qartë. Por tani është koha që pesha e të ardhurve të ndahet në të gjithë Bashkimin Europian. Këtyre sfidave, ne do të arrijmë t’iu bëjmë ballë vetëm nëse do të mundemi të mbështetemi në solidaritetin europian”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Përpos gati 20 mijë emigrantëve, që mendohet të kenë hyrë në këtë vend përgjatë fundjavës, dita e sotme pritet të sjellë edhe 11 mijë të tjerë. Merkel i falënderoi vullnetarët e gatshëm të ndihmonin emigrantët, për të cilët tha se “krijuan një imazh të Gjermanisë, që i bën të ndihen krenarë për vendin e tyre”.

Por, në fjalën e saj pati edhe një pohim, që deri më tani nuk ishte përvijuar kaq qartë. Kujt i nevojitet mbrojtje, do ta marrë. Por ata, që nuk kanë asnjë mundësi të përfitojnë azil, do të kthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre, deklaroi Kancelarja.

Megjithatë, vërshimi i emigrantëve nuk ka të ndalur, e raportet e fundit tregojnë se turma të tëra njerëzish presin në kufirin e Serbisë me Hungarinë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban lëshoi sërish një deklaratë të fortë sot, kur tha se “për sa kohë nuk mbrojmë dot kufijtë e jashtëm të Europës, është e kotë të diskutohet sa njerëz mund të pranojmë”.

Emigrantët që synojnë Gjermaninë – sipas tij, – më shumë sesa siguri fizike, kërkojnë të bëjnë një jetë si të gjermanëve, e shtoi se ky lum njerëzish do të rrezikojë mirëqenien e shteteve të krishtera të Europës.

Top Channel