Kosovë, debate në Komisionin e Integrimit; kërkohen raportime nga ministrat

07/09/2015 15:35

Deputetët e Komisionit parlamentar për Integrimin Europian e kanë nisur punën e sesionit të vjeshtës me shumë vërejtje dhe pakënaqësi ndaj Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve opozitarë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka kërkuar të ftohet sa më parë për raportim në komision, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, pasi – sipas tij, – ka shumë çështje që ai duhet t’i raportojë edhe pa praninë e mediave.

“Mendoj se kemi nevojë për të biseduar, veçanërisht me qeverinë dhe ministrat përkatës, për disa çështje, të cilat besoj se e kanë lënduar pretendimin tonë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Mendoj se, në veçanti ministri i Brendshëm duhet të vijë në komision, për të raportuar në një konferencë të mbyllur pa gazetarë”, tha Xhavit Haliti, deputet i PDK.

Shqetësim për zhvillimet e fundit politike ka pasur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda. Ai tha se, ministrja për Dialogun, Edita Tahiri duhet të vijë në komision, për të raportuar për marrëveshjet me Serbinë dhe pasojat që do të sjellin ato.

“Nuk është e duhur të them menjëherë se, në atë që unë e shoh si triumf të Serbisë, partitë politike shqiptare të bien në këtë nivel ku kanë rënë. Që qeveria të përdorë mekanizma apo policinë në një mënyrë, siç nuk lejohet të përdoret në një shtet demokratik, dhe që subjekti – të cilit i takoj unë, – të tentojë t’i heqë rrethimet nga Qeveria me dhunë. Kjo nuk është situatë normale”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.

Pas mbledhjes së Komisionit për Integrimin Europian, kryetarja Teuta Sahatçija u shfaq optimiste se, këtë vit, Kosova do të ketë përafrim me Bashkimin Europian sa i përket marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimit të vizave.

“Mendoj se Kosova ka dhënë një kontribut tepër pozitiv dhe e di se prej Bashkimit Europian, e sidomos – duhet ta theksoj – prej Gjermanisë, kemi një raport të mirë. Pres që puna e mirë e Kosovës të shpërblehet edhe në procesin e integrimit europian”, tha Teuta Sahatçija, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian.

Në mbledhjen e parë pas pushimeve verore, Komisioni për Integrimin Europian ka miratuar edhe planin e punës për pjesën e mbetur të vitit 2015.

Top Channel