Ekspertët: Gjoba 10 milionë, e ekzagjeruar. Jemi pro ashpërsimit

07/09/2015 15:40

Profesor Sotiraq Dhamo, një nga ekspertët më të njohur të taksave në vend, thotë se gjoba prej 10 milionë lekësh për biznesin me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit, që nuk lëshon kuponin tatimor, është e tepruar dhe nuk e ndihmon luftën ndaj evazionit. Ai mbështet ashpërsimin e masave ndëshkuesve ndaj informalitetit, por në nivele të arsyeshme.

“E them këtë, sepse gjoba nuk ka për qëllim të shkatërrojë, por qëllim – gjykoj unë, – që të parandalojë dhe që të jetë e mundshme që të paguhet. Përndryshe do të shkohet në situatën kur vendoset një gjobë që pastaj nuk mund të paguhet. Po të llogarisim që shumica e bizneseve në Shqipëri janë me xhiro deri në 8 milionë lekë, po të vendoset një gjobë – me apo pa të drejtë, – prej 10 milionë lekësh, edhe sikur biznesi të dojë nuk e paguan dot. Gjobat duhet të kenë një kuptim kur të vendosen, sepse qëllimi i tyre nuk është që të trembin”, tha Sotiraq Dhamo.

Luan Bregasi i “Biznes Albania” mbështet ashpërsimin e masave ndëshkuese ndaj evazionit. Por, sipas tij, ato nuk duhet të jenë të palogjikshme.

“Në rast se deri më tani një gjobë ishte sa dyfishi i faturës që bëhej evazion nga biznesi, le të fuqizohet e të bëhet trefish apo katërfish, por të mos jetë fikse sepse në perceptimin tonë, ashtu siç taksat e larta kanë tendencë të prodhojnë evazion dhe prodhojnë në shumë raste, ashtu edhe gjobat e larta në perceptimin tonë prodhojnë – diku më shumë apo diku më pak – edhe korrupsion të atyre që do e administrojnë sistemin e gjobave”, tha Luan Bregasi.

Një projektligj i ri, që amendon ligjin ekzistues të procedurave tatimore, parashikon gjobitjen me 10 milionë lekë të bizneseve me qarkullim më të madh se 8 milionë lekë në vit, nëse nuk lëshojnë kuponin tatimor.

Paralelisht, ai parashikon të njëjtën masë gjobe për bizneset, të cilat nuk kanë kasa fiskale të rregullta. Drafti, i cili është ende në fazë fillestare, u është shpërndarë ministrive përgjegjëse për komente.

Kryeminsitri Edi rama kishte paralajmëruar më parë ashpërsimin e masave kundër informalitetit, një pjesë e të cilave duket se janë materializuar në draftin e ri të procedurave tatimore.

Top Channel