25-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut, themelit të Kosovës së pavarur

07/09/2015 15:45

Këtë të hënë është shënuar përvjetori i 25-të i Kushtetutës së Kaçanikut, e vitit 1990, e cila e përkufizonte Republikën e Kosovës si një shtet demokratik të kombit shqiptar dhe pjesëtarëve të pakicave të tjera kombëtare, si serbët, myslimanët, malazezët, kroatët, turqit, romët dhe të tjerë, që jetojnë në Kosovë.

Ky ishte një hap i rëndësishëm i deputetëve të Kuvendit të atëhershëm, një përgjigje për popullin shqiptar në Kosovë, i cili përveç masave antikushtetuese dhe një terrori të jashtëzakonshëm serb, ishte i përjashtuar nga bisedat për përmirësimet e ish-Jugosllavisë, nga të cilat edhe shqiptarët do të mund të vendosnin për pozitat e tyre.

Me rastin e këtij përvjetori, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se 7 shtatori është një prej datave më të rëndësishme, në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

Kryeministri Mustafa theksoi gjithashtu se, miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut vendosi themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe dëshmoi vendosmërinë e pathyeshme të qytetarëve të Kosovës, për të realizuar aspiratat e tyre shtetformuese.

Përvjetori i Kushtetutës së Kaçanikut është uruar edhe nga subjektetet politike. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se, Kushtetuta e Kaçanikut do të kujtohet gjithmonë, me respekt dhe me vlerësimin më të lartë për ata që e patën vizionin e një Kosove të pavarur.

Kushtetutës së 7 shtatorit 1990 i kishte paraprirë deklarata e Pavarësisë, e miratuar më 2 korrik të po atij viti.

Sot Kosova, si shtet i pavarur e i njohur nga më shumë se 100 shtete, ka Kushtetutën e saj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës 2 muaj pas shpalljes së Pavarësisë, më 9 prill 2008. Kompromiset e bëra, që kulmuan me pakon e Marti Ahtisaarit, bënë që në Kushtetutën e parë të Kosovës shtet, të njohur ndërkombëtarisht, ajo të përkufizohet si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, si dhe shtet i shtetasve të vet.

Top Channel