Kosovë, arrestohen disa aktivistë të VV pas aksionit dhe përplasjes me policinë

07/09/2015 15:55

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë përballur sërish me Policinë e Kosovës këtë të hënë, gjatë një aksioni simbolik në oborrin e objektit qeveritar. Ndërhyrja e policisë ishte e shpejtë, duke arrestuar disa aktivistë.

Përveç të arrestuarve, gjatë kësaj përpjekjeje pati edhe të lënduar nga “spray”, që është përdorur nga pjesëtarët e policisë për të larguar turmën.

Aksioni u organizua për të vendosur një “udhëzim administrativ”, siç kanë shkruar aktivistët në mbështetje të parullës “Familja, Prona, Shteti”, me anë të së cilës shpallet ankand për shitjen dhe pastaj tender për blerjen e makinave të reja nga Qeveria, duke ironizuar me tenderin që kishte fituar ditë më parë djali i kryeministrit, Isa Mustafa.

“Përse duhet të keqtrajtohen aktivistët, vetëm e vetëm pse po vendosnin pamflete? Isa Mustafa po na kthen kohën e regjimit”, tha Valdrin Ahmeti, aktivist i LVV-së.

Kësaj radhe nuk janë kursyer as mediat nga ana e policisë, pasi edhe një kameraman është spërkatur në fytyrë me “spray”, ndërsa ekipet e televizoneve të tjera s’e kanë pasur të lehtë të kryejnë punën e tyre.

FOTO GALERI
1/1
Kameramani i TCH, Bujar Sylejmani, gjatë kryerjes së detyrës (Foto: Laura Hasani)

Top Channel